U zhvillua ceremonia e “Ditës së Vizitorëve të Shquar”, e stërvitjes së rajonale “ADRION CAX/LIVEX 2018”

Me rastin e përfundimit të stërvitjes rajonale “ADRION CAX/LIVEX 2018 ”, u zhvillua në Portin e Vlorës, ceremonia e “Ditës së Vizitorëve të Shquar”.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, përfaqësues të forcave detare të vendeve pjesëmarrëse, autoritete të pushtetit vendor Vlorë, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, komandantë forcash dhe drejtorë drejtorish në SHP si dhe efektiva të cilët ndoqën nga afër zhvillimin dhe manovrat praktike të stërvitjes në det.

Në përshëndetjen e tij drejtuar trupave pjesëmarrëse në këtë stërvitje të përbashkët, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-së, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, pasi falënderoi të gjitha forcat detare pjesëmarrëse në stërvitje vlerësoi bashkëpunimin dhe miqësinë e fortë midis vendeve të rajonit, u shpreh ndër të tjera: “Vendimi për të pritur edhe njëherë këtë stërvitje nga ana jonë ishte vendim shumë i mirë pasi patëm rastin të tregonim sërish nivelin profesional të Forcës Detare por edhe mikpritjen e vendit tonë. Forca jonë Detare kontribuon që prej dy vitesh jo vetëm  në shërbim të sigurisë  së rajonit por edhe sigurisë së Aleancës”.

Nga ana e tij, Komandanti i Forcës Detare, gjeneral major Ylber Dogjani, në përshëndetjen e tij falënderoi trupat pjesëmarrëse për përkushtimin e treguar gjatë zhvillimit të kësaj stërvitje të përbashkët rajonale si dhe arritjen me sukses të objektivave të saj.

Në emër të Forcave Detare të ADRION-it përshëndeti përfaqësuesi i Forcës Detare  Italiane kundëradmiral Flavio Biaggi. Pasi falenderoi për  organizimin e mrekullueshëm të kësaj stërvitje,  ai solli në vëmendje të të pranishmëve se dy vite më parë në 2016 ishte Italia vendi pritës. “Shtabi im e organizoi këtë stërvitje në 2016. E shoh, që tani qasja ndaj objektivave është realitet. “Grupi i anijeve të gatshme “ është realitet dhe partneriteti mes nesh tani është më i fortë, u shpreh ndër të tjera kundëradmiral Biaggi.

Stërvitja “ADRION CAX-LIVEX” e cila zhvillohet çdo vit, ka për objektiv nxitjen e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë si dhe rritjen e ndërveprueshmërisë midis forcave detare të ADRIONIT, nëpërmjet zhvillimit të skenarëve që kanë të bëjnë me sigurinë detare në detin Adriatik dhe detin Jon.

Në të morën pjesë rreth 300 efektiva, 6 anije nga të cilat, tre të Forcës Detare Shqiptare dhe 1 helikopter i Forcës Ajrore.

Kjo stërvitje u planëzua dhe  zhvillua nën drejtimin e Forcës Detare Shqiptare, dhe vendi ynë është  për të tretën herë. Për herë të parë kjo stërvitje u zhvillua në vendin tonë në vitin 2009 më pas në 2015 dhe së treti në 2018. Gjithashtu Forca Detare merr pjesë çdo vit në këtë stërvitje e cila zhvillohet në vendet e rajonit sipas rotacionit.







Media Sociale



Moti