FA përfundojnë operacionin për heqjen e kimikateve në ish Uzinën e Baterive, Gramsh

 

Paraditen e sotme është zhvilluar një ceremoni e veçantë me rastin e përfundimit të operacionit për riambalazhimin dhe zhvendosjen e kimikateve nga ish Uzina e Baterive, Gramsh për në depot e Komandës së  Mbështetjes, duke e bërë zonën për rreth uzinës më të sigurte dhe të mbrojtur për jetën e banorëve.

Në ceremoni ishin të pranishëm zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjenerale brigade, Manushaqe Shehu,  Prefekti i Elbasanit z. Maksim Malaj, Kryetari i Bashkisë së Gramshit, znj. Luljeta Dollani, Komandanti i Komandës së Mbështetjes, kolonel Gaspër Lala, komandanti batalionit të Mbështetjes me Luftim në FT, Nënkolonel Lavdërim OSHAFI, banorë të zonës, ushtarakë etj.

Gjeneral brigade Shehu, në fjalën e saj në ceremoni, pasi falënderoi personelin ushtarak të Forcës Tokësore dhe të Komandës së Mbështetjes për përkushtimin dhe seriozitetin e treguar  për realizimin e këtij operacioni të vështirë dhe delikat për jetën e njeriut-, u shpreh ndër të tjera:  “Forcat e  Armatosura nën drejtimin e Ministrit të Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe në kryerje të misionit të tyre kushtetues kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë pranë njerëzve, pranë pushtetit lokal për të dhënë ndihmën komunitetit  në çdo rast që përballeni me emergjencë civile, për të shpëtuar jetë njerëzish, objekte, për të ndikuar në përmirësimin e  ambientit, për ta bërë jetën e njerëzve më të sigurt, siç është edhe rasti konkret me largimin e mbetjeve kimike në ish Uzinën e Baterive këtu në Gramsh. Falë këtyre masave dhe këtij bashkëpunimi  të shkëlqyer me Pushtetin Lokal, sot banorët e kësaj zone e ndjejnë veten më të sigurt. Edhe në të ardhmen Forcat e Armatosura do të jenë pranë jush në përballimin e çdo nevoje emergjente që mund të paraqitet, jo vetëm në këtë prefekturë, por në të gjithë Shqipërinë”.

Nga ana e tyre, prefekti i Elbasanit, z. Malaj dhe Kryetari i Bashkisë së Gramshit znj. Dollani vlerësuan kontributin e Forcave të Armatosura dhe sidomos të personelit ushtarak të angazhuar në këtë operacion, I cili bëri të mundur largimin e mbetjeve nga ish uzina,  por edhe për angazhimin dhe kontributin e dhënë në tërësi për përballimin e emergjencave civile në këtë prefekturë. 

Në operacionin e riambalazhimit dhe zhvendosjes së kimikateve nga ish Uzina e Baterive, Gramsh për në depot e Komandës së Mbështetjes, i cili filloi më 23 prill dhe përfundoi 5 qershor 2018, u angazhuan efektivë nga Forca Tokësore dhe Komanda Mbështetëse.

Gjatë këtij operacioni u riambalazhuan dhe u zhvendosën në depot e Forcave të Armatosura rreth: 27 850 kg  blozë; 4400 kg grafit i shndritshëm; 3300 kg arka me rrëshirë; 300 kg arka me material të ndryshme për bateritë; 500 kg shishe me reagent kimik; 100 kg vaj lungar, etj.







Media Sociale



Moti