Fregata gjermane F - 261 “Magdeburg” vizitë në portin e Durrësit

Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Bundeswehr-it, në Portin e Durrësit po zhvillon një vizitë treditore fregata gjermane “Magdeburg”, pjesë e Flotës gjermane.

Fregata gjermane “Magdeburg”, gjatë qëndrimit së saj në vendin tonë, është vizituar dhe nga zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Forcës Detare, gjeneralmajor Ylber Dogjani, ambasadorja e Republikës së Gjermanisë në vendin tonë, znj. Susanne Schutz, atasheu ushtarak gjerman në vendin tonë nënkolonel Hans Peter Wasmsler, përfaqësues të Autoritetit Portual, Durrës dhe të Policisë së Sigurisë Portuale, drejtorë drejtorie në MM dhe SHP, etj.

Gjatë vizitës, gjeneral brigade Kollçaku, vlerësoi edhe njëherë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe Forcave tona të Armatosura, dhe konkretisht bashkëpunimin midis dy flotave tona, kryesisht në fushën e arsimimit e kualifikimit të detarëve në shkollat gjermane, vizitave të ndërsjella, si dhe bashkëpunimin në operacionin “Sea Guardian”, ku flota gjermane shpesh herë merr drejtimin e operacionit, etj.

Në ditët e qëndrimit në port, do ketë vizita në fregatën gjermane edhe të autoriteteve ushtarake shqiptare dhe ish-ushtarakëve të liruar e në pension.

Ndërkohë personeli i anijes do zhvillojë vizita në objekte muzeale, kulturore e vende turistike të zonës Durrës-Tiranë.

Anija gjermane do largohet nga vendi ynë më datën 3 qershor 2018.







Media Sociale



Moti