Zhvillohet “Dita e Hapur”, në Batalionin e Parë të Këmbësorisë të Forcës Tokësore

bwd  Grup - Foto 1/3  fwd

Në ambientet e Batalionit I të Këmbësorisë të Forcës Tokësore, u zhvillua paraditen e sotme “Dita e Hapur”, në kuadër të fushatës së rekrutimeve për ushtarë dhe detarë në Forcat e Armatosura, me qëllim dhënien e informacionit të duhur dhe sensibilizimin e shtetasve të interesuar, për tu bërë pjesë e Forcave të Armatosura Shqiptare.

Në aktivitet ishin të pranishëm zëvendësministri i Mbrojtjes z. Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, prefekti i Qarkut të Shkodrës  z. Çesk Millja,  komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Nazmi Cahani, atashe ushtarak të akredituar në vendin tonë, komandantë  repartesh vartëse të Forcës Tokësore, nxënës maturantë nga shkollat e mesme të Qarkut të Shkodrës, etj.

Njëkohësisht, në këtë ditë u organizua edhe ceremonia nisjes së Kontingjentit VIII Paqeruajtës në mision në Kabul, Afganistan në kuadër të misionit “Resolute Support Mission” (RSM).

Ky aktivitet u përshëndet nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, i cili pasi shprehu vlerësim për punën dhe profesionalizmin e këtij batalioni, theksoi ndër të tjera se:  

“Batalioni i Këmbësorisë në Shkodër ka qenë në ballë të  sfidave dhe të problematikave, që ka pasur komuniteti duke filluar nga zjarret përmbytjet dhe problematikat e tjera, që ka pasur komuniteti. Vizita ime e parë në këtë Repart, ka pasur si synim të takonte ata djem dhe vajza që përlesheshin me zjarret, në zona të ndryshme për të mos harruar edhe muajin janar kur kam parë ushtarët dhe civilët e batalionit të Parë të Këmbësorisë (b1k), që ishin në ballë të përpjekjeve të pushtetit lokal, për të ndihmuar  popullsinë civile të prekur nga përmbytjet...”.

Duke iu drejtuar trupave paqeruajtës që nisen sot me mision, gjeneral brigade Kollçaku shprehu besimin e tij dhe të SHPFA se me përgatitjen që ata kanë, do të dinë të jenë në lartësinë e detyrës. Njëkohësisht, ai i siguroi trupat paqeruajtëse se Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes, do të jenë gjithmonë pranë tyre dhe pranë familjeve të tyre.

Në përfundim të fjalës së tij, gjeneral brigade Kollçaku iu bëri thirrje të gjithë të rinjve për t’iu bashkuar Forcave të Armatosura,  jo vetëm si vendi ku ata mund të sfidojnë veten, por edhe si vendi ku ata mund të arsimohen të trajnohen për t’i shërbyer sa më mirë atdheut.

Dita e Hapur në b1k, u përshëndet dhe nga zëvendësministri Koçi, i cili pasi ka uruar për të gjithë festën e 1 Qershorit, e ka lidhur këtë ditë feste për fëmijët, me sakrificën që bëjnë Forcat e Armatosura që jo vetëm fëmijët e Shqipërisë të jetojnë të sigurt dhe të lumtur,por edhe fëmijët e popujve të tjerë në mbarë botën.

“... Jam i gëzuar, që sot ka një prezencë të konsiderueshme të të rinjve dhe të rejave. Forcat tona të Armatosura, kanë nevojë për të tjera forca për të tjerë efektivë. Ju e dini tashmë që ne jemi në një fazë rekrutimi, ku ne marrim të tjerë të rinj dhe të reja. Unë ju kërkoj që të sensibilizoheni, për t’iu bashkuar Forcave të Armatosura. Ne, jemi mbledhur këtu për një rast që mund të duket si rutinë, por në fakt përbën një nga ditët e krenarisë kombëtare. Ne nisim Kontingjentin VIII në RSM. Ju djem që shkoni atje, jeni për një mision të qartë kuq e zi dhe për një mision të NATO-s. Ju shkoni atje, për të na bërë krenarë, për të na nderuar. Natyrisht që ju jeni atje, për të rrezikuar dhe kontribuar për paqen dhe sigurinë, në një nga vendet më delikate të botës...”, u shpreh ndër të tjera zv.ministri Koçi.

VIDEO:

Të pranishmit në Ditën e Hapur të Batalionin e Parë të Këmbësorisë të Forcës Tokësore, ndoqën nga afër armatimin në përdorim nga efektivat e b1k të Forcës Tokësore, si dhe një mësim tregues me temë “Veprimet e kompanisë së këmbësorisë në kuadër të Emergjencave Civile”, ku ishte improvizuar ndërhyrja në rastet e rënies së zjarreve.”

Ceremonia u përmbyll me një koncert me këngë dhe kërcime koreografike të organizuar nga  Qendra e Kulturës Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes në bashkëpunim me nxënësit e shkollës së mesme Vau i Dejës.







Media Sociale



Moti