Forca Tokësore zhvilloi Stërvitjen “Biza 18-01”

 

Në ambientet e Qendrës së Simulimit u zhvillua stërvitja e Forcës Tokësore, “Biza-18-01”, me qëllim përmirësimin e aftësive drejtuese dhe planëzuese së Shtabit të Grup Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë (GBKL), i Forcës Tokësore.

Stërvitja “Biza 18-01”, u zhvillua si një stërvitje për vendimmarrje, në vend komandë, për të qenë sa më e thjeshtë dhe efektive në nivel taktik duke adresuar në të njëjtën kohë nevojat për trajnimin dhe rritjen e shkallës së planëzimit dhe kryerjen e operacioneve mësymëse, si dhe për ti shërbyer certifikimit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë, që do të realizohet në shtator 2018.

Kjo stërvitja u inspektua nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, i  shoqëruar dhe nga komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Nazmi Cahani, drejtorë drejtorish në SHPFA, si dhe nga komandanti i batalionit të Dytë të Këmbësorisë i Forcës Tokësore, kolonel Arjan Hila.

Nëpërmjet një prezantimi, gjeneral brigade Kollçaku, u njoh fillimisht me qëllimin dhe objektivat e kësaj stërvitje. Më pas, gjeneral Kollçaku pati mundësinë të njihej konkretisht me detyrat e realizuara deri në këto momente, kryesisht përsa i takon procesit të vendimmarrjes ushtarake si dhe procesit të drejtimit të trupave.

Gjeneral brigade Kollçaku, pasi i ka falenderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë stërvitje për planizimin, disiplinën dhe profesionalizmin e treguar deri tani gjatë zhvillimit të “Biza 18-01” , u shpreh ndër të tjera: “Tradicionalisht kontingjentet që dalin nga Forca Tokësore, në të gjitha misionet ku kanë marrë pjesë dhe marrin aktualisht ushtarakët shqiptarë që nga Iraku, Afganistani, Çadi, Mali etj, kanë treguar se janë profesionalisht në nivelet e kolegëve të tyre të NATO-s, në realizimin e detyrave. Puna që bëni ju, është shpërblyer dhe do vazhdojë të shpërblehet, duke filluar që nga mbështetja që Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes kanë në vizionin e tyre, qoftë për trajtimin më të mirë për sa i takon kushteve të jetesës dhe stërvitjes, ashtu edhe trajtimit tuaj financiar. E gjithë kjo mbështetje, ka ardhur si rrjedhojë e asaj që ju me punën dhe sakrificën tuaj keni treguar, duke bërë që kontributi juaj të vlerësohet  jo vetëm nga Aleanca, por mbi të gjitha nga populli shqiptar, i cili krenohet me ju.”, - u shpreh gjeneral brigade Kollçaku. 

 







Media Sociale



Moti