Gjeneral brigade Kollçaku merr pjesë në Konferencën kundër Organizatave Ekstremiste të Dhunshme, organizuar nga komandanti i Forcave të SHBA në Evropë, gjeneral Scaparrotti

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, mori pjesë në Konferencën kundër organizatave ekstremiste te dhunshme, të organizuar nga komandanti i Komandës Evropiane të SHBA (EUCOM), gjeneral Curtis M. Scaparrotti, në Wiesbaden, Gjermani. Kjo konferencë vjen një ditë pas konferencës se organizuar me ambasadorë të Evropës po për të njëjtën temë.

Në fokus të diskutimeve në këtë konferencë ishin forcimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimi i eksperiencave të ndërsjella mbi sfidat aktuale të sigurisë që po përballet çdo vend në Evropë, si dhe nevojat për përqasje gjithëpërfshirëse në përballimin e këtyre sfidave.

Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, komandanti i EUCOM gjeneral Curtis M. Scaparrotti, vuri theksin në nevojën e thellimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të njohurive e eksperiencave rreth përqasjes kundër organizatave ekstremiste të dhunshme, me qëllim të adresimit të sfidave dhe kërcënimeve që prekin dhe cenojnë jo vetëm interesat e SHBA në Evropë, por edhe të çdo vendi tjetër evropian. 

Gjeneral Scaparrotti theksoi angazhimin e EUCOM për të mbështetur një qasje ndërinstitucionale për të adresuar kërcënimet në teatër. Ai ndër të tjera u shpreh se "Asnjë komb nuk qëndron vetëm duke u përballur me kërcënimin e terrorizmit, dhe kjo përfshin Shtetet e Bashkuara. Është e qartë se ekstremistët e dhunshëm janë aktivë në teatrin evropian, jo vetëm përgjatë periferisë së Evropës. Prandaj të gjithë së bashku, ne do të sigurojmë që Evropa të jetë e tërë, e lirë dhe në paqe", - u shpreh gjeneral Scaparrotti në këtë konferencë.

 







Media Sociale



Moti