SHSHPFA gjeneral brigade Kollçaku, merr pjesë në Konferencën e 12-të, të shefave të Shtabeve të Ballkanit

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku mori pjesë në Konferenën e 12-të, të Shefave të Shtabeve të Ballkanit, në Beograd, Serbi, ku morën pjesë shefat e Shtabeve të Bosnje Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Rumanisë, Serbisë, Maqedonisë, Turqisë dhe Malit të Zi.

Gjithashtu, të ftuar në konferencë ishin edhe kryetari i Komitetit Ushtarak të BE, gjeneral Mikhail Kostarakos,  zëvendëskryetari i Komitetit Ushtarak të NATO, gjenerallejtënant Steven M. Shepro, komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar në Napoli, admiral James Foggo si dhe zëvendësshefi i SHP të FA sllovene, gjeneral brigade Alenka Ermenc me statusin e vëzhguesit.

Në fokus të diskutimeve në Konferencën e 12 të SHSHP të Ballkanit ishin çështjet e bashkëpunimit në fushën e Sigurisë, stërvitjeve, edukimit dhe trajnimit.
Një vëmendje e veçantë në këtë konferencë iu kushtua gjithashtu dhe problemeve që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen kibernetike. shef i Zyrës së Koordinimit të Politikave Kibernetike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, z. Karsten Geier, si i ftuar në këtë takim, i cili nëpërmjet prezantimit me temë: “Siguria dhe mbrojtja kibernetike”, ofroi një pasqyrë të qartë të rreziqeve dhe kërcënimeve por edhe të masave mbrojtëse në këtë fushë, për t'i shërbyer rritjes së sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, në fjalën përshëndetëse në konferencë, vuri theksin në rritjen e nivelit të bashkëpunimit ushtarak si aspekt i rëndësishëm në kuadrin e përpjekjeve të vendeve tona për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Gjeneral brigade Kollçaku përshëndeti propozimin e grupit koordinues të konferencës për zhvillimin e një aktiviteti vjetor shtesë si dhe ofroi mbështetjen e Forcave të Armatosura të RSH për të qenë pjesë aktive e të gjitha aktiviteteve stërvitore, trajnuese dhe edukuese që do të zhvillohen në të ardhmen.

Në përfundim të punimeve të konferencës shefat e Shtabeve të vendeve të Ballkanit firmosën Deklaratën e Përbashkët, në të cilën u riafirmua edhe një herë vendosmëria për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën ushtarake si dhe u dakordësua që përveç një stërvitjeje të përbashkët vjetore, të zhvillohet edhe një aktivitet shtesë si konferencë, kurs, seminar me rotacion në vendet përkatëse.

Konferenca e shefave të Shtabit të vendeve të Ballkanit është një aktivitet i iniciuar në vitin 2007 në Bruksel, Belgjikë, ku të gjitha vendet e Ballkanit firmosën Termat e Referencës për bashkëpunimin ushtarak. Ajo zhvillohet çdo vit me rotacion në vendet anëtare.

Me këtë akt, të gjithë pjesëmarrësit angazhohen që të bashkëpunojnë në zhvillimin e marrëdhënieve ushtarake me qëllim rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan, për t’i paraprirë sfidave të mundshme të çdo lloj rreziku asimetrik në rajon si dhe rritjen e bashkëpunimit ushtarak në fushën e edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve.

Konferenca vjetore e shefave të Shtabit të Ballkanit vlerësohet si një instrument i nevojshëm për promovimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Forumi është i hapur për zgjerim të mundshëm por duke kërkuar konsensusin e të gjithë pjesëmarrësve.

Forumi është një fushë interesi edhe për BE dhe NATO; kryetari i Komitetit Ushtarak të BE, kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO, komandanti i Komandës Amerikane në Evropë si dhe komandanti i Komandës së Bashkuar të NATO në Napoli tradicionalisht janë të ftuar dhe pjesëmarrës në këto konferenca.

Konferenca e radhës do të mbahet në muajin maj 2019 në Bukuresht, Rumani.







Media Sociale



Moti