Gjenerale brigade Shehu, vizitë në anijen franceze “Bbpd Pluton, M-622” në Portin e Vlorës

Me ftesë të ambasadës franceze në vendin tonë, zëvendësshefi  Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerale brigade Manushaqe Shehu zhvilloi një vizitë në anijen  franceze “BBPD Pluton, M-622”, e cila nga data 05-10.05.2018 bëri një vizitë portuale në portin e Vlorës, në kuadër të planit të bashkëpunimit ushtarak dypalësh Shqipëri-Francë, për vitin 2018.
Gjenerale Shehu u prit nga Komandanti i anijes  Kapiten i Rangut III-të, Benjamin Tutoy, ku ishin të pranishëm gjithashtu dhe Ambasadorja e Francës në vendin tonë, SH.S.Znj. Christine Vasak, Kryetari i Bashkisë së Vlorës z. Dritan Leli, Prefekti i Vlorës z. Flamur Mamaj, Konsulli i Nderit i Austrisë  në Vlorë, z. Arben Malaj, Konsulli i Italisë, Luana Alita Michel,  si dhe ushtarakë nga Komanda e Forcës Detare, etj.

Gjatë qëndrimit të anijes në Gjirin e Vlorës,  zhytësit francezë, pjesë e efektivit të anijes, kanë zhvilluar trajnime, zhytje dhe kërkime të përbashkëta me zhytësit tanë të Forcës Detare për gjetjen,  identifikimin dhe shkatërrimin e municioneve të paplasura në det në kuadrin edhe të sezonit turistik të verës.

Anija “BBPD Pluton, M-622” ka zhvilluar vizitë portuale në portin e Vlorës edhe vitin e kaluar. Bashkëpunimi me anijen çminuese franceze ka rezultuar i suksesshëm dhe frytdhënës, si për trajnimin dhe rritjen e eksperiencës së zhytëseve tonë të Qendrës së Zhytjes së FD, ashtu dhe për pastrimin e zonave detare të ndotura nga municionet e paplasura, pa kosto për FARSH.

Gjatë bisedës me ambasadoren franceze, komandantin e anijes franceze dhe ekuipazhin e saj, gjenerale brigade Shehu,  në emër  edhe të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, vlerësoi me nota pozitive bashkëpunimin e mirë midis dy vendeve dhe në mënyrë të veçantë ato në fushën ushtarake, si dhe kontributin e dhënë nga ekuipazhi i kësaj anije në bashkëpunim me zhytësit tanë në pastrimin e zonës detare në Gjirin e Vlorës dhe uroi që  vizita të tilla të ketë edhe në të ardhmen.







Media Sociale



Moti