Kremtohet 60 - vjetori i krijimit të Akademisë së Forcave të Armatosura

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Në auditorin e garnizonit “Skënderbej”, u zhvillua një ceremoni e veçantë me rastin e 60 - vjetorit të krijimit të Akademisë së Forcave të Armatosura.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, deputetë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë dhe Mbrojtjes, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade, prof. asoc. Bajram Begaj, komandantë forcash, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, drejtorë drejtorish në MM dhe SHP, ish - gjeneralë, pedagogë të kësaj akademie, etj.

Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade, prof. asoc. Bajram Begaj, në përshëndetjen e tij, pasi i uroi mirëseardhjen të gjithë të pranishmit në ceremoni, theksoi ndër të tjera rëndësinë e Akademisë së Forcave të Armatosura, si institucioni më i lartë i arsimimit ushtarak në vendin tonë, institucion i cili për një periudhë 60 vjeçare ka luajtur dhe luan një rol parësor në përgatitjen dhe kualifikimin e ushtarakëve dhe civilëve të të gjitha niveleve  të komandimit e të drejtimit në strukturat e Forcave të Armatosura.

Ministrja e Mbrojtjes, znj. Olta Xhaçka, në përshëndetjen e veçantë drejtuar të gjithë të pranishmëve, ndër të tjera u shpreh: “Në 60 vite të ekzistencës së saj, Akademia e Forcave të Armatosura përfaqëson një institucion unik të arsimit të lartë në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë. Ajo ka qenë dhe mbetet mbartëse dhe reflektuese e moralit, vlerave dhe frymës atdhetare e patriotike të popullit, zëdhënëse e traditave të pasura të Forcave të Armatosura, qendër e rëndësishme e mendimit shkencor, kulturës dhe historisë ushtarake, me profil të spikatur në të gjithë sistemin e institucioneve të arsimit të lartë publik të vendit tonë…”.

Ministrja Xhaçka gjatë përshëndetjes së saj, adresoi dhe një falënderim të veçantë për të gjithë brezat e studentëve, pedagogëve, punonjësve dhe drejtuesve që kanë studiuar dhe shërbyer në këtë akademi, për kontributin e veçantë në arsimimin, përgatitjen dhe formimin e mijëra kuadrove oficerë si dhe për studentët më të  rinj kandidatë për oficerët dhe studentët nga Kosova.

Duke përfunduar, ministrja Xhaçka, u ndal dhe në rëndësinë dhe rolin që ka Akademia e FA në kushtet e reja të mjedisit të sigurisë në rajon dhe më gjerë, duke vënë theksin se kjo Akademi do të vazhdojë të jetë prioritet i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm dhe do të vazhdojë të ketë mision të përgatisë, arsimojë dhe kualifikojë specialistë të lartë e të aftë të personelit ushtarak e civil për të gjitha nivelet e drejtimit të FARSH për fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.







Media Sociale



Moti