Ministrja e Mbrojtjes znj. Xhaçka dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Kollçaku, homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit

Sot paradite në “Varrezat e Dëshmorëve” janë përkujtuar me nderim dhe respekt dëshmorët e atdheut, në rradhët e të cilëve prehen dhe efektivë të Forcave të Armatosura.

Në ceremoninë zyrtare të organizuar me këtë rast morën pjesë presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi, kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FARSH gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, politikanë e zyrtarë të tjerë. Personalitetet më të larta të shtetit kanë kryer homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule përpara memorialit “Nënë Shqipëri”, në nderim dhe shenjë respekti për sakrificat e dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Atdheun.

Më pas, ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Forcës Ajrore, gjeneral brigade Vladimir Avdiaj, bënë homazhe dhe vendosën buqeta me lule pranë varrit të dëshmorëve më të fundit të atdheut, kapiten Feti Vogli, kapiten Florian Delia dhe toger Donald Hoxha të rënë në krye të detyrës.

Në nderim të veprës e sakrificës së pilotëve dhe teknikëve të FAj u vendosën karafila e kurora me lule edhe nga Komanda e Forcës Ajrore, shoqata “Familjet e Dëshmorëve të Aviacionit”, “Shoqata e Aviatorëve të Shqipërisë”, ushtarakë të Forcës Ajrore, veteranë të aviacionit si dhe familjarë të dëshmorëve.

Ministrja e Mbrojtjes znj. Xhaçka dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Kollçaku u takuan me familjarët e të rënëve, të cilëve u shprehën respekt dhe mirënjohje për vetmohimin e sakrificat e bijve të tyre për detyrën dhe atdheun.







Media Sociale



Moti