Ministrja Xhaçka dhe gjeneral brigade Kollçaku, në ceremoninë e betimit dhe certifikimit të rekrutëve të rinj në Bunavi

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, morën pjesë në ceremoninë e betimit të rekrutëve të kursit të Stërvitjes Individuale Bazë dhe certifikimin e ushtarëve të Kursit të Stërvitjes Individuale të Avancuar, në specialitetet: këmbësori, logjistike, polici ushtarake, ndërlidhje dhe detari.

Në ceremoni ishin të pranishëm gjithashtu edhe komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Bajram Begaj, komandanti i Shkollës së Trupës në Bunavi, kolonel Ardian Lulaj, drejtorë drejtorie në SHP, përfaqësues të pushtetit lokal, të afërm dhe familjarë të rekrutëve, etj.

Ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka pasi u uroi suksese të mëtejshme rekrutëve dhe ushtarëve të sapocertifikuar, adresoi një falënderim të veçantë dhe për oficerët dhe nënoficerët e Shkollës së Trupës, për profesionalizmin dhe punën e bërë për stërvitjen e rekrutëve dhe ushtarëve. “Njohuritë e fituara këtu në Bunavi, rregullin, disiplinën, punën me teste dhe standarde duhet t’i vini në zbatim në repartet e Forcave të Armatosura ku ju do të shërbeni. Të mbash uniformën e nderuar të Forcave të Armatosura dhe t’u përkushtohesh atyre është shërbimi më i madh që së bashku mund t’i bëhet Atdheut tonë të përbashkët”, - u shpreh ndër të tjera ministrja Xhaçka në përshëndetjen e saj në këtë ceremoni.

Ceremonia gjithashtu është përshëndetur dhe nga komandanti i Shkollës së Trupës në Bunavi, kolonel Ardian Lulaj, i cili pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në ceremoninë e betimit dhe certifikimit të rekrutëve të rinj, iu shpreh ndër të tjera: “Kjo ceremoni i dedikohet këtyre të rinjve, të rreshtuar në këtë shesh, që për 10 javë stërvitje këtu në Bunavi, demonstruan zellin, sakrificat, dinjitetin, durimin, motivimin, bashkëpunimin e përkushtimin, për të realizuar objektivat e programit të Stërvitjes Individuale Bazë dhe të Stërvitjes Individuale të Avancuar”.

Për rekrutët, ushtarët, nënoficerët dhe oficerët, të cilët gjatë kursit janë dalluar për arritje të larta në disiplinë, në stërvitje si dhe në jetën e përditshme në repart u ndanë certifikatat vlerësimi.

Në përfundim të ceremonisë, u zhvillua ceremonia e betimit ushtarak me rekrutët e sapocertifikuar si dhe u bë një foto e përbashkët me të gjithë pjesëmarrësit në ceremoni.







Media Sociale



Moti