Kremtohet 67 - vjetori i krijimit të Aviacionit Ushtarak shqiptar

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Në ambientet e Komandës së Forcës Ajrore, në Rinas, u zhvillua paraditen e sotme një ceremoni e veçantë, me rastin e 67 - vjetorit të krijimit të Aviacionit Ushtarak shqiptar.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, znj. Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjenerale brigade Manushaqe Shehu, komandantë forcash dhe reparteve autonome të FA, drejtorë drejtorish në MM dhe SHP, përfaqësues të "Shoqata e Aviatorëve të Shqipërisë” dhe të shoqatës “Familjet e Dëshmorëve të Aviacionit”, familjarë të dëshmorëve etj.

Në fjalën e saj përshëndetëse në këtë ceremoni ministrja e Mbrojtjes, znj. Olta Xhaçka, u shpreh se me krenari kujtojmë sot 67 - vjetorin e krijimit të Aviacionit Shqiptar, që u krijua më 1951 me qëllime mbrojtëse ushtarake. “Forca Ajrore ka në thelb të saj sfidën e përhershme për tu transformuar në një forcë më moderne, më efikase, më operacionale. Forca Ajrore ka realizuar me përkushtim misionin me detyrat e saj në ruajtjen e sovranitetit shqiptar”, - u shpreh ndër të tjera ministrja Xhaçka.

VIDEO:

 

Ministrja Xhaçka, gjatë fjalës së saj, pasi solli në vëmendje kushtet e sotme dhe vlerësimin e situatës së re të sigurisë në rajon dhe më gjerë, u shpreh se kemi përzgjedhur më të mirën e mundshme për vendin tonë duke zhvilluar forca dhe mjete ajrore me mision të dyfishtë, ruajtjen e sovranitetit dhe ndihma ndaj çdo shqiptari në vështirësi. ”Republika e Shqipërisë dhe Forcat e Armatosura tani e kanë gjetur vendin e vet në organizimin më të sigurt në NATO, por edhe si partner strategjik i SHBA. Dimensioni i ri i futjes tonë në NATO, përbën sot dhe historinë e re të aviacionit shqiptar. Instalimi i Sistemit të Integruar për Vëzhgimin e Hapësirës Ajrore shqiptare, për të cilat ka nisur puna me një nga kompanitë më prestigjioze ushtarake në botë, do jetë një komponent tjetër me rëndësi jetike jo vetëm për sigurinë kombëtare shqiptare, por edhe për vendet anëtare të Aleancës së Adriatikut”, - theksoi ministrja Xhaçka në fjalën e saj në ceremoni.

Ceremonia u përshëndet nga komandanti i Forcës Ajrore, gjeneral brigade Vladimir Avdiaj, i cili pasi falënderoi të pranishmit në ceremoni, u shpreh ndër të tjera se: ”Historia e Aviacionit Ushtarak shqiptar, për 67 vite me radhë, nuk u shkrua vetëm me përkushtim, mund dhe sakrifica, por edhe me gjakun e dëshmorëve të shumtë të Armës sonë, të cilët dhanë jetën e tyre në krye të detyrës, në moshën më të bukur. Çdo 24 prill ne kujtojmë dhe nderojmë me respekt 41 kolegët tanë, “Dëshmorët e Aviacionit”, të cilët janë dhe do të jenë krenaria më e madhe, nderi dhe lavdia e përjetshme e kësaj arme…”

Gjeneral brigade Avdiaj, falënderoi dhe shprehu mirënjohje për përkushtimin dhe sakrificat për  personelin që ka shërbyer dhe shërben në këtë armë dhe shprehu bindjen e plotë se personeli i Forcës Ajrore do të vazhdojë rrugën e suksesit për të dhënë maksimumin, për të shërbyer me nder dhe përgjegjësi, për të qenë gjithmonë të gatshëm në përmbushjen e misionit.

Ceremonia u përmbyll me një vizitë në ekspozitën e ngritur me këtë rast, ku të pranishmit panë nga afër  me maketet e  mjeteve ajrore të përdorura nga Aviacioni Ushtarak Shqiptar.







Media Sociale



Moti