Muzeu i Forcave të Armatosura me një pavijon të ri dedikuar Heroit Kombëtar Skënderbeut

Në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, në Muzeun e Forcave të Armatosura, është çelur pavijoni që i dedikohet heroit tonë kombëtar Skënderbeut.

Në çeljen e këtij pavijoni të ri ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjenerale brigade Manushaqe Shehu, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Vullnet Sina, si dhe mjaft ushtarakë të lartë e të ftuar.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, në fjalën e saj në çeljen e këtij pavijoni të ri në Muzeun e FA, theksoi angazhimin e institucionit që ajo drejton, në kuadër të veprimtarive për vitin e Skënderbeut. “Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar me të gjithë kapacitetin e tyre në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që përkon me 550 - vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar. Muzeut të Forcave të Armatosura i shtohet sot edhe një pavijon i ri, shumë interesant për t’u vizituar, i cili i kushtohet Heroit Kombëtar. Ky pavijon është vetëm një simbolikë e angazhimit tonë për Vitin e Skënderbeut, ndërkohë që, muaj më parë FA kontribuoi në rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e varrezave të dëshmorëve dhe monumenteve të kulturës në të 12 qarqet e vendit. Veç kësaj, të gjithë jemi dëshmitarë të faktit, që FA janë kudo ku kërcënohet siguria e jetës së komunitetit dhe përballimi me sukses i situatave në muajt e vendit, për shkak të motit të keq, e konfirmon këtë.” - u shpreh ministrja Xhaçka, e cila njoftoi edhe ndryshimin e imazhit të dy strukturave ceremoniale në Forcat e Armatosura. “Kam kënaqësinë të bëj me dije se, shumë shpejt në kuadër të angazhimeve për Vitin e Skënderbeut, truproja e nderit dhe orkestra frymore e FA do të kenë një imazh tërësisht të ri dhe dinjitoz për të përfaqësuar një vend, ku Heroi Kombëtar ka qenë një prej strategëve më të mëdhenj të luftës. Historia dhe faktet dëshmojnë se, kur vlerat më të mira të traditës sonë projektohen në të ardhmen, e sotmja është edhe më e sigurt.”

Në pavijonin e Skënderbeut në Muzeun e Forcave të Armatosura janë të ekspozuara sende që kanë lidhje me heroin tonë kombëtar, armë të përdorura në atë kohë, harta dhe stema të principatave të Arbërit dhe mjaft dokumente të tjera.

 







Media Sociale



Moti