FA aktivitet sportiv me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe”

Me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe”, Qendra e Kulturës, Medias, Botimeve të Mbrojtjes e Muzeut të Forcave të Armatosura organizoi një veprimtari masive, e cila zhvillohet në kuadrin e veprimtarive të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Në aktivitetin sportiv të organizuar me këtë rast, ishte i pranishëm dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, i shoqëruar nga komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Bajram Begaj. Gjithashtu të pranishëm ishin dhe drejtori i Qendrës së Kulturës, Medias, Botimeve të Mbrojtjes e Muzeut të FA, znj. Mirela Roshi, si dhe drejtorë drejtorie në SHP dhe MM dhe të ftuar të tjerë.

Aktiviteti nisi me një grup atletësh, të cilët me pishtarin olimpik, kaluan në formë stafete, në çdo 100 metra të pistës së stadiumit dhe në 100 metërshin e fundit, atletja e njohur, nënkampionia e Europës, Luiza Gega, e cila është pjesëtare e FA shqiptare, i dorëzoi në mënyrë simbolike pishtarin olimpik, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, i cili ia dorëzoi atë grupit të fëmijëve, si shenjë vazhdimësie.

Në përshëndetjen e tij të veçantë në këtë aktivitet sportiv, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, pasi falënderoi drejtoren e QKMBMMFA, znj. Mirela Roshi për organizimin e kësaj veprimtarie masive, e cila zhvillohet në kuadër të veprimtarive të vitit mbarë kombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, e vlerësoi të rëndësishëm  këtë veprimtari sportive, pasi përcjell tek të gjithë brezat mesazhe zhvillimi, paqeje e mirëkuptimi kulturor e sportiv në funksion të edukimit fizik e shëndetit të njerëzve.

Të ftuar në këtë ditë ishin ekipe të ndryshme nga FA si dhe nga jashtë, të cilët performuan në futboll, volejboll, basketboll, mundje, atletikë, karate, shah, etj.

Më 23 gusht 2013, OKB vendosi që data 6 prill të jetë Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe”. Njëkohësisht kjo datë, përkon edhe me ditën e hapjes së lojërave Olimpike Moderne, që u zhvilluan në Athinë, në vitin 1896.
6 prilli, si “Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe”, ka për qëllim promovimin e mënyrës së shëndetshme të jetës dhe inkurajimin e Lëvizjes Olimpike Ndërkombëtare që përqendrohet në lejimin e qasjes në sportit të sa më shumë njerëzve që është e mundur.
Kjo datë, e konsideruar si event i ri vjetor shërbeu për promovimin e sportit dhe aktivitetit fizik, si gjuhë universale dhe mjet për të edukuar përfshirjen sociale, zhvillimin e rinisë dhe ndërtimin e një mjedisi bashkëpunues e paqësor.







Media Sociale



Moti