Forcat e Armatosura shqiptare 9 vjet në NATO

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Në garnizonin e Zall-Herrit u zhvillua paraditen e sotme ceremonia e 9-të vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. 

Në këtë ceremoni morën pjesë: ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë znj. Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjenerale brigade Manushaqe Shehu, komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Nazmi Cahani, anëtarë të Komisionit të Sigurisë në Parlamentin e RSH, atashe ushtarakë të vendeve të huaja të akredituar në vendin tonë, komandantë forcash si dhe komandantët e reparteve vartëse të Forcës Tokësore.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja e Mbrojtjes, znj. Olta Xhaçka vlerësoi anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO, 9 vite më parë si një pikë kulmore dhe një arritje të jashtëzakonshme historike për vendin tonë, pasi do t’i jepte një tjetër dimension pozitës së Shqipërisë në arenën politike ndërkombëtare.

Ministrja Xhaçka gjatë përshëndetjes së saj duke folur për rrugën e gjatë të vendit tonë për anëtarësim, vuri theksin se ky nuk ishte një proces i lehtë, por ka kërkuar shumë punë, mund dhe sakrifica dhe gjeti rastin të falënderonte të gjithë efektivat ushtarakë, burrat dhe gratë nën uniformë dhe brezat e Forcave të Armatosura, që punuan ndër vite me përkushtim dhe bënë të mundur futjen e Shqipërisë në familjen e madhe të vlerave të lirisë, që për herë të parë në histori i krijuan vendit mundësinë dhe të drejtën për të qenë të barabartë, në një tryezë kaq të rëndësishme të vendimmarrjes botërore. “Sot është dita për të kujtuar edhe njërin ndër ta, Kapiten Feti Voglin, i cili dha jetën duke mbetur përherë një dëshmor i përpjekjes sonë për liri dhe dëshmi e çmuar e përkushtimit të ushtarakëve tanë në shërbim të lirisë dhe të NATO. 

NATO u krijua si një aleancë për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë. Në kushtet aktuale, kur sfidat e Aleancës nuk janë pakësuar, por përkundrazi janë shtuar, pasi ambienti i sigurisë ka pësuar ndryshime dhe në skenë kanë dalë aktorë dhe janë shfaqur fenomene të cilët rrezikojnë këto vlera, nevoja e unitetit të kësaj aleance është më urgjente. Shqipëria dhe shqiptarët më shumë se kushdo e njohin dhe e vlerësojnë vlerën e lirisë dhe të demokracisë, pasi ju është mohuar dhe ju është vënë në rrezik për shumë kohë ...” - do të shprehej më tej në fjalën e saj zonja Xhaçka.

Më tej në përshëndetjen e saj, ministrja Xhaçka, nuk la pa përmendur edhe operacionet e ditëve të fundit në kuadër të emergjencave civile, duke e vlerësuar punën e ushtarakëve që u përballën me këto situata, si të jashtëzakonshme. “...FA kanë qenë në frontin e parë të kësaj fatkeqësie natyrore duke iu gjendur në krah banorëve të zonave të prekura, duke bërë të mundur shmangien e humbjes së jetëve njerëzore dhe minimizimin e dëmeve. Edhe në këto momente që flasim, pjesëtarë të FA janë duke vijuar operacionet për eliminimin e pasojave.”

Ministrja e Mbrojtjes, e mbylli përshëndetjen e saj me një falënderim të veçantë për të gjithë anëtarët e Aleancës së Atlantikut të Veriut, popujve dhe qeverive të tyre, që hapën derën për Shqipërinë për t’u bërë pjesë e familjes së madhe euroatlantike.

Më pas, pjesëmarrësit në ceremoni vizituan stacionet stërvitore, ku trupa “komando” dhe ata të Forcave Speciale kryen një sërë demonstrimesh si: hedhje nga kulla e alpinizmit, goditje objekti dhe çlirim pengu, qitje precizoni etj.

Ceremonia u përmbyll me një foto të përbashkët.







Media Sociale



Moti