Gjenerale brigade Shehu priti në takim ambasadorin italian, z. Cutillo

Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjenerale brigade Manushaqe Shehu, priti në takim ambasadorin italian, z. Alberto Cutillo, i cili shoqërohej nga atasheu ushtarak italian në vendin tonë, kolonel Fabio Cornacchia.

Gjenerale brigade Shehu, pasi e uroi ambasadorin dhe atasheun italian për mirëseardhjen në Shtabin e Përgjithshëm të FA, i njohu ata me zhvillimet më të fundit në Forcat e Armatosura shqiptare. Ajo vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë dhe në këtë kuadër, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, e cila ka konsistuar në stërvitje të përbashkëta dhe shumëkombëshe, trajnim dhe edukim të ushtarakëve, mbështetje logjistike, bashkëpunim në kuadër të operacioneve ushtarake në përmbushje të angazhimeve të Aleancës dhe më gjerë për menaxhimin e krizave në funksion të paqes dhe stabilitetit, modernizimin e Forcave të Armatura shqiptare etj.

Nga ana i tij ambasadori italian, zoti Cutillo, pasi falënderoi gjenerale brigade Shehun për pritjen e ngrohtë dhe tepër miqësore, e uroi atë në marrjen e detyrës së re të zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura shqiptare dhe festën e 8 Marsit, si dhe vlerësoi me nota pozitive bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve dhe në veçanti atë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ku Forcat e Armatosura italiane kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin ndihmë Forcave të Armatosura shqiptare në fusha të ndryshme si, në fushën e edukimit, trajnimit dhe në atë të misioneve të përbashkëta në dobi të sigurisë dhe paqes kudo në botë.

Gjatë takimit gjenerale brigade Shehu ka vlerësuar pjesëmarrjet e përbashkëta me trupa ushtarake në iniciativa të udhëhequra nga NATO dhe nga koalicione të përbashkëta, si dhe mbështetjen e dhënë nga qeveria italiane  me mbështetje logjistike në terren dhe në  transportin  strategjik të trupave tona. “ Në këtë kontekst, dua të risjell në vëmendjen tuaj bashkëpunimin në kuadër të operacionit të NATO, International Security Assistance Force ISAF, por edhe në misionin pasues të tij “Resolute Support Misson” në TAAC-WEST, i cili vijon edhe për vitin 2018”, - u shpreh gjenerale brigade Shehu.

Bashkëbiseduesit shprehën bindjen se bashkëpunimi ushtarak Shqipëri-Itali është i rëndësishëm, jo vetëm në kuadër të bashkëpunimit dy palësh, por edhe si dy vende anëtare të NATO dhe do të njohë gjithmonë rritje në interes të përbashkët.







Media Sociale



Moti