FA angazhim maksimal në ndihmë të popullsisë së zonave të bllokuara nga dëbora

Për shkak të situatës së krijuar ditët e fundit nga reshjet e dendura të dëborës në disa qarqe të vendit, strukturat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë në gatishmëri dhe të angazhuara në përballimin e kësaj situate, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile si dhe me autoritetet e pushtetit vendor.

Më konkretisht, efektivë të Detashmentit të Mbështetjes Rajonale (DMR), Kukës, pas 3 orë ecjeje në këmbë kanë arritur të transportojnë për në spitalin rajonal të Kukësit një 38-vjeçare, e cila ishte e bllokuar në shtëpinë e saj në fshatin Tejdrinë të njësisë administrative Ujmisht në bashkinë e Kukësit, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Gjithashtu në Qarkun e Korçës, efektivët e DMR, Korçë, me mjetet borëpastruese kanë kryer operacione për zhbllokime të akseve rrugore nga dëbora, në zonën e Mokrës.

Në Qarkun e Kukësit, Peshkopisë, Elbasan, Korçë dhe Gjirokastër,të cilat këto ditë kanë qenë shumë problematike për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, strukturat e FA (DMR), janë në gatishmëri maksimale me trupa dhe mjete për të operuar në çdo situatë sipas kërkesave nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile dhe pushteti lokal.

 







Media Sociale



Moti