U zhvillua ceremonia me rastin e ndërrimit të detyrës të atasheve ushtarakë të Republikës së Kosovës


Në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes, u zhvillua sot ceremonia e veçantë, me rastin e zëvendësimit të atasheut ushtarak të Kosovës për vendin tonë, kolonel Enver Dugolli, i cili përfundon detyrën si atashe ushtarak i Kosovës në Shqipëri dhe marrjen e detyrës nga kolonel Bashkim Shillova.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, znj. Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjenerale brigade Manushaqe Shehu, i ngarkuari me punë z. Sylë Ukshini, gjeneralë si dhe drejtorë drejtorish në MM dhe SHP.

Ministrja Xhaçka në përshëndetjen e saj në këtë ceremoni shumë të veçantë, pasi vlerësoi punën dhe kontributin e kolonel Dugollit në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, e siguroi atë se qeveria shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes do të vazhdojnë të mbështesin fort aspiratën dhe ëndrrën e Kosovës dhe dera për ju është gjithmonë e hapur, pasi ju keni qenë dhe jeni në shtëpinë tuaj si dhe i uroi mirëseardhjen atasheut të ri në detyrë kolonel Shillovës.

Ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka, me rastin e përfundimit të misionit të tij ushtarak në vendin tonë, e ka nderuar kolonel Dugollin me “Certifikatë Mirënjohje”, me motivacionin:” Për kontributin e dhënë nëpërmjet punës së tij si atashe ushtarak i Republikës së Kosovës, në drejtim të forcimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh në fushën e Mbrojtjes, midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”.

Kolonel Dugolli duke e falënderuar përzemërsisht ministren e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka, nënvizoi se bashkëpunimi i shkëlqyer ushtarak mes dy vendeve tona ka qenë jo vetëm zyrtar, por edhe kombëtar. Gjithashtu me një emocion të madh, kolonel Dugolli u shpreh i lumtur që karriera e tij ushtarake përfundon këtu në Shqipëri.

Më pas, atasheu ushtarak në ikje i Republikës së Kosovës në vendin tonë, kolonel Enver Dugolli dhe pasardhësi i tij në detyrë kolonel Bashkim Shillova, u pritën në një takim të veçantë nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku.

Gjeneral brigade Kollçaku, pasi e ka falënderuar kolonel Dugollin për kontributin e tij të shkëlqyer në rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, në fushën e Mbrojtjes dhe sidomos për ndihmën e dhënë në përballimin e situatës së përmbytjeve në vendin tonë, i ka akorduar atij në shenjë mirënjohje “Certifikatë Mirënjohje”, me motivacionin: “Për kontributin dhe përkushtimin e treguar në koordinimin e dhënies së ndihmës së qeverisë dhe popullit kosovar për përballimin me sukses të situatës së përmbytjeve si dhe profesionalizmin e treguar për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Nga ana e tij, kolonel Dugolli, falënderoi Shtabin e Përgjithshëm dhe gjeneral brigade Kollçakun për mbështetjen e dhënë duke nënvizuar se puna e tij është bërë më e lehtë falë kësaj mbështetjeje.

Në fund të takimit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku i uroi mirëseardhjen atasheut ushtarak kosovar, kolonel Bashkim Shillova dhe shumë suksese në detyrën e sapomarrë.







Media Sociale



Moti