Ministrja Xhaçka dhe gjeneral brigade Kollçaku në ceremoninë përkujtimore të Dëshmorit të Atdheut kapiten Feti Vogli

bwd  Grup - Foto 1/3  fwd

Në mjediset e batalionit të Forcave Speciale,  u zhvillua ceremonia përkujtimore me rastin e 6 -vjetorit të rënies në krye të detyrës të Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli, në misionin luftarak “Eagle 4”, në Kandahar, Afganistan.

Në ceremoni morën pjesë ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Nazmi Cahani, komandanti i Batalionit të Forcave Speciale kolonel Ilirjan Dauti, komandantë forcash dhe repartesh autonome të Shtabit të Përgjithshëm, miq, familjarë dhe të afërm të Dëshmorit të Atdheut kapiten Feti Vogli.

Ministrja e Mbrojtjes, znj.Olta Xhaçka, në fjalën e saj në këtë ceremoni përkujtimore, shprehu vlerësimin e saj maksimal për veprën e kapiten Voglit, duke u shprehur se: “…jemi sot këtu për t’i treguar njëri- tjetrit se vepra e të rënëve nuk harrohet, se ajo kujtohet dhe do të respektohet brez pa brezi, se ajo vlerësohet dhe do të na frymëzojë edhe në të ardhmen për arritjen e objektivave që na presin. Këtë motivim dhe obligim për të gjithë ne, e sjell sot në 6 - vjetorin e rënies së tij Dëshmori i Atdheut, kapiten Feti Vogli, pjesëtari i parë i Forcave të Armatosura shqiptare, i cili humbi jetën në një mision ushtarak jashtë vendit”.

VIDEO:

 

Më tej, Ministrja Xhaçka, duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoni tha se duke nderuar sot kapiten Feti Voglin, ne të gjithë tregojmë edhe një herë qëndrimin tonë të palëkundur si ushtarakë dhe si qytetarë dhe angazhimin për përmbushjen e detyrimeve tona, për sigurinë e qytetarëve tanë por edhe përkrah aleatëve tanë në NATO. “Nga Afganistani në Irak, nga Çadi në Bosnje, nga Kosova në Mali, nga Adriatiku në Egje, kudo që na kërkohet, shembulli i Feti Voglit na mëson se detyra dhe përkushtimi për sigurinë dhe paqen, i bën ushtarakët tanë të marrin mbi vete rrezikun e sfidave të përditshme, veçanërisht në mision”, - theksoi ministrja Xhaçka gjtë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni përkujtimore.

Komandanti i batalionit të Forcave Speciale, kolonel Ilirjan Dauti, në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni përkujtimore, u shpreh ndër të tjera se: “…ne e nderojmë me respekt, e kujtojmë me dëshpërim, por askush nuk mund ta kuptojë dhembjen dhe humbjen më shumë se familja e tij. U bënë 6 vjet nga dita kur nëna humbi birin, bashkëshortja udhëtarin e saj të jetës, fëmija prindin, vëllai vëllanë dhe kolegët shokun që do t’iu mungojë gjatë, megjithatë kujtimi i Fetiut do të mbetet i gjallë në mendjet dhe zemrat e të gjithëve…” - tha ndër të tjera kolonel Dauti.

Ceremonia përkujtimore me rastin e 6 - vjetorit të rënies në krye të detyrës së Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli, u përmbyll me vendosjen e kurorave pranë bustit të tij, në nderim dhe respekt të sakrificës sublime të tij, në shërbim të paqes dhe demokracisë.







Media Sociale



Moti