130 rekrutët e rinj nisen për në Shkollën e Trupës në Bunavi, Vlorë

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Në auditorin e Ministrisë së Mbrojtjes, u zhvillua sot paradite një ceremoni e veçantë me rastin e përfundimit me sukses të fazës së parë të rekrutimit për vitin 2018 dhe dërgimit të rekrutëve të rinj në Qendrën Stërvitore Bunavi.

Të pranishëm në ceremoni ishin ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Bajram Begaj, drejtorë drejtorish në SHP, zëvendëskomandanti i QPR nënkolonel Aleksandër Sina, prindër dhe familjarë të rekrutëve të rinj, etj.

Pas kryerjes së procedurave të plota të testimeve përkatëse në Qendrën e Personel Rekrutimit, nga 325 kandidatë që u testuan, u përzgjodhën dhe u shpallën fitues 175 kandidatë, nga të cilët 

10 kandidate janë femra dhe 10 kandidatë me arsim të lartë. “Jam shumë e lumtur teksa sot ju uroj udhë të mbarë kontingjentit më të ri të djemve dhe vajzave shqiptare, të cilët me dëshirën dhe vullnetin e tyre nisin rrugëtimin dinjitoz, fisnik por edhe të vështirë, për të qenë në radhët e familjes tonë të madhe të ushtrisë sonë, tashmë pjesë e respektuar e Aleancës më të madhe që ka parë më sot historia, Aleancës së NATO.”, u shpreh ndër të tjera ministrja Xhaçka.

VIDEO:

 

Ministrja Xhaçka, gjatë përshëndetjes së saj, vuri theksin dhe vlerësoi se një pjesë e mirë e aplikantëve të paraqitur dhe ai i kandidatëve të përzgjedhur, janë vajza, me një raport 3 me 1. “Si ministre e Mbrojtjes, do të dëshiroja që ta përmirësonim akoma më shumë raportin gjinor në favor të femrave, por gjithsesi unë sot vlerësoj prirjen e rritjes së këtij numri dhe kërkoj që kjo të kihet parasysh në vijimësi. Nga ana tjetër, fakti që në radhët e ushtarëve të rinj aplikojnë edhe të rinj me arsim të lartë, kjo më bën shpresëplotë se niveli intelektual dhe i profesionalizmit të ushtrisë sonë do jetë gjithnjë e më i garantuar...”.

Në përfundim të fjalës së saj, ministrja Xhaçka pasi adresoi një vlerësim të veçantë për sakrificën e çdo efektivi të Forcave të Armatosura dhe familjeve të tyre, shumë prej të cilëve edhe fëmijët i kanë edukuar me dashurinë për uniformën,duke i bërë pjesë të fushatave të rekrutimit të Forcave të Armatosura, u uroi rekrutëve të rinj shumë suksese dhe të dalin faqebardhë.

Një përshëndetje e veçantë në këtë ceremoni u bë dhe nga zëvendëskomandanti i Qendrës së Personel Rekrutimit, nënkolonel Aleksandër Sina, i cili, falënderoi ministren e Mbrojtjes dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA në emër të të gjithë personelit të QPR, për mbështetjen e vazhdueshme sidomos në procesin e rekrutimit të të rinjve në radhët e Forcave të Armatosura.







Media Sociale



Moti