Forcat e Armatosura shqiptare marrin pjesë në Ditën Ndërkombëtare të Sporteve (CISM - 2018), në Tiranë

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Forcave Armatosura të Republikës së Shqipërisë, morën pjesë në Ditën Ndërkombëtare të Sporteve duke iu bashkuar Forcave të Armatosura të 135 vendeve të tjera të mbarë botën.

Aktiviteti me rastin e kësaj dite u zhvillua në kodrat e Liqenit Artificial, në Tiranë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Federatën e Atletikës. 

Në ”Ditën e vrapimit të CISM 2018”, morën pjesë ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të të gjitha gradave dhe nga të gjitha komandat, njësitë dhe repartet e Forcave tona të Armatosura 

Gara u zhvillua në dy disiplina, 10 km për vrapuesit djem dhe 6 km për vrapueset vajza. 

Në vendin e parë për djem u rendit kapiten Bledar Mesi, i ndjekur nga ushtar Alban Faslliu nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Në vendin e tretë u rendit toger Renato Dordi nga Forca Ajrore. 

Në kategorinë e vajzave, vendin e parë e zuri kadete Xhuliana Tahillari nga Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes. Në vendin e dytë u rendit ushtare e tretë Sadete Popshini, ndërsa në shkallën më të ulët të podiumit u pozicionua Artemisa Axhami nga Policia Ushtarake. 

Trofetë simbolikë dhe certifikatat për tre vendet e para në të dyja disiplinat u dorëzuan nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku. 

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, pasi uroi fituesit dhe përgëzoi pjesëmarrësit në garë, u shpreh ndër të tjera: “Ne jemi plotësisht të angazhuar, që edhe karriera juaj t’i përngjajë kësaj gare të bukur sportive. Dhe po punojmë që kjo garë të jetë e pastër, e ndershme dhe e shëndetshme. Një garë ku secili prej jush të vlerësohet dhe promovohet në bazë të meritave dhe të performancës së treguar gjatë punës”.

CISM (International Military Sport Council) është Këshilli Ndërkombëtar i Sporteve në ushtri me 136 vende pjesëmarrëse, midis tyre edhe Shqipëria.

Dita e vrapimit të CISM zhvillohet çdo vit nga vendet anëtarë të kësaj organizate duke u kthyer në ditën ku ushtarakë dhe civilë vrapojnë së bashku në gjithë botën nën flamurin e sportit dhe paqes. Ky aktivitet ka si qëllim promovimin e sportit masiv në Forcat e Armatosura.







Media Sociale



Moti