Gjeneral brigade Kollçaku inspekton Stërvitjen “Fekeni 18-01”

Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, inspektoi ditën e sotme Stërvitjen 72-orëshe të Batalionit të Dytë të Këmbësorisë së Forcës Tokësore (b2kFT), “Fekeni 18-01”. Në këtë inspektim ai shoqërohej nga zëvendësshefja e Shtabi të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Manushaqe Shehu, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Nazmi Cahani, komandanti i b2k kolonel Arjan Hila, drejtorë drejtorish në SHP, si dhe përfaqësues nga shtabi i Forcës Tokësore.

Në fjalën e tij drejtuar trupave të këtij reparti elitë jo vetëm të Forcës Tokësore, por edhe të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Kollçaku, pasi vlerësoi përgatitjen e tyre profesionale, u shpreh ndër të tjera: “...ishte kënaqësi e veçantë për mua, por besoj edhe për gjithë drejtorët e Shtabit të Përgjithshëm, që të ndiqnim nga afër përfundimin e stërvitjes 72-orëshe të Kompanisë III “Puma”. Një planëzim i shkëlqyer nga shtabi i batalionit, i cili u konkretizua me aplikimin tepër profesional të të gjithë efektivit ushtar oficer dhe nënoficer në terren. Gëzohem që shikoj që tradita e shkëlqyer, që ky repart ka krijuar ndër vite, jo vetëm që nuk është ndërprerë për asnjë moment gjatë rrugëtimit të tij të lavdishëm në historinë e Forcave të Armatosura, por shikoj me kënaqësi të madhe që ka arritur një nivel vërtetë mbresëlënës, duke qenë një repart i denjë për ecur më të njëjtin hap me homologët e tij në Aleancë. Ju përgëzoj dhe ju falënderoj për emocionin e veçantë, që më dhuruat sot me demonstrimin tuaj tepër profesional”.

Një vlerësim të veçantë për stërvitjen e trupave të b2kFT, shprehu edhe zëvendësshefja e Shtabi të Përgjithshëm të FARSH gjeneral brigade Manushaqe Shehu, e cila përgëzoi të gjithë efektivin e b2kFT, për masat e marra për realizimin e një stërvitje reale dhe me standarde, sipas kërkesave të NATO duke vlerësuar në mënyrë të veçantë pjesëmarrjen e efektivit femër në këtë stërvitje. “...vura re se asgjë nuk i dallonte ato, në fushën e luftimit nga kolegët e tyre meshkuj. Vura re me krenari moralin e tyre të lartë, krenarinë për uniformën që mbajnë veshur. Shpresoj dhe besoj shumë se në të ardhmen numri i vajzave që do t’i bashkohen Forcave të Armatosura, do të jetë edhe më i madh. Por jo vetëm numri, por jam e bindur se edhe cilësia dhe profesionalizmi i tyre do të vijë vetëm duke u rritur...” - u shpreh gjeneralë brigade Shehu.

Stërvitja “Fekeni 18-01” u zhvillua në rajonin stërvitor të Fekenit dhe i përkiste karakterit të luftimit mësymës. Inspektimi i gjeneral brigade Kollçakut, përkoi me fazën e tretë të zhvillimit të “Fekeni-18”, e cila përfshinte ekzekutimin e stërvitjes dhe realizimin e vlerësimit. 

Dinamika e veprimeve gjatë kësaj faze, përshiu realizimin me sukses të një sërë detyrave si: përcaktimi i rrugëve të lëvizjes; përgatitja me artileri e mësymjes; afrimi në vijën kryesore të mbrojtjes së armikut; marrja e objekteve të përcaktuara në planin e luftimi;, mbështetja me artileri e mësymjes, si dhe futja në luftim e rezervës për realizimin e detyrës së largët.

Të gjitha këto veprime u realizuan me sukses, disiplinë dhe profesionalizëm të lartë nga efektivët e b2kFT.







Media Sociale



Moti