SHBA dhuron mjete e pajisje për Forcat e Armatosura shqiptare

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd


Në ambientet e Komandës Mbështetëse, ku prej dy muajsh është ngritur Qendra e Pritjes dhe Administrimit të Ndihmave, u zhvillua një ceremoni e veçantë, me rastin e  dorëzimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të pjesës së parë të ndihmave me një vlerë totale prej rreth 650 mijë dollarë,  për Emergjencat Civile.

Në ceremoni ishin të pranishëm Ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, Ambasadori i SHBA në vendin tonë, Z. Donald Lu, komandanti i Komandës Mbështetëse, kolonel Gaspër Lala, atasheu ushtarak amerikan, kapiten i rangut të II-të, James Hilton, shefi i zyrës së ODC, major Joshua L. Glendening në MM, si dhe drejtorë drejtorish në MM dhe SHP.

Ministrja Xhaçka falenderoi vendet aleate për solidaritetin e treguar pas përmbytjeve të fundit, duke veçuar kontributin e Shteteve të Bashkuara për Forcat e Armatosura shqiptare. ”Më lejoni të shpreh mirënjohjen dhe falënderimet e mia dhe të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, për aleatin dhe mikut strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e përhershme, bujare dhe të pakufizuar për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Situata e vështirë që kaluam në muajin dhjetor tregoi mes të tjerash, solidaritetin mes miqsh dhe njëherësh edhe misionin e përbashkët për t’ju gjendur pranë më të pamundurve, në vështirësitë e shkaktuara nga moti e keq. Ambasador Lu, një shprehje e bukur e jona thotë: Miku i mirë njihet në ditë të vështirë. ”- u shpreh ministrja Xhaçka.

VIDEO:

 

Një falënderim i veçantë në këtë ceremoni të dhurimit të ndihmave nga qeveria e SHBA, u adresua dhe nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku. “ E nderuar Ministre, i nderuar ambasadori Lu, ju ishit të parët që erdhët në Qendrën e Bashkuar Operacionale muajin e kaluar ku FA dhe gjithë strukturat e qeverisë u ndeshën dhe u angazhuan në përballimin e emergjencës civile të krijuar nga përmbytjet në disa zona të vendit... Ne sot shohim të konkretizuar paketën e asistencës që vjen nga SHBA për të rritur kapacitetet e FA dhe MM në përballimin e emergjencave. Duke ju falënderuar, ju siguroj që FA do ti përdorë në të mirë të komunitetit.”, u shpreh gjeneral Kollçaku në përshëndetjen e tij.

Nga ana e tij ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu, pasi vlerësoi kontributin e Forcave të Armatosura shqiptare në ndihmë të komunitetit, si dhe gatishmërinë e ushtrisë amerikanë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës për ndihmë nga qeveria shqiptare, u shpreh ndër të tjera: “Ju kemi parë të ndërtoni ura, të shpëtoni fëmije duke punuar me helikopterë dhe të kujdeseni për të sëmurët dhe të plagosurit. Pas përmbytjeve të tmerrshme të vitit të kaluar, ushtria e SHBA-së ju përgjigj kërkesës suaj të NATO-s për pajisje ndihme në raste katastrofash. Sot po i dhurojmë Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile dërgesën e parë të pajisjeve që përdoren në përgjigje ndaj katastrofave, të cilat kanë një vlerë totale mbi 600 mijë dollarë. Ne besojmë në heroizmin e FA të Shqipërisë dhe jemi krenarë që i mbështesim në misionin e tyre për të shpëtuar jetë brenda dhe jashtë vendit.”- u shpreh ambasadori amerikan Lu.

Pjesa e parë e ndihmës, e akorduar nëpërmjet Zyrës për Bashkëpunim dhe Mbrojtje (ODC) në Ministrinë e Mbrojtjes, përbëhet nga 37 artikuj dhe ka një vlerë prej më shumë se 260 mijë dollarësh. Kjo ndihmë konsiston në pajisje kërkim - shpëtimi ujor, kostume dhe pajisje palombari, pompa uji, si dhe mjaft produkte dhe pajisje humanitare. Pjesa e dytë e paketës së ndihmës që arrin një vlerë totale prej rreth 650 mijë dollarë pritet t’i dorëzohet Forcave të Armatosura muajt e ardhshëm.







Media Sociale



Moti