Gjenerale brigade Shehu, priti në takim atasheun ushtarak italian

Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjenerale brigade Manushaqe Shehu, priti në një takim kortezie atasheun ushtarak të Republikës së Italisë, të akredituar në vendin tonë, kolonel Fabio Cornacchia.

Gjeneral brigade Shehu, pasi i uroi mirëseardhjen në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, e njohu kolonel Cornacchia me zhvillimet më të fundit në Forcat e Armatosura shqiptare. 

Gjatë takimit, gjenerale brigade Shehu vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë dhe në këtë kuadër bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. “Bashkëpunimi midis dy vendeve tona në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë është për t’u vlerësuar dhe jo vetëm, pasi ky bashkëpunim shumë i mirë ka konsistuar në stërvitje të përbashkëta dhe shumëkombëshe, trajnim dhe edukim të ushtarakëve, bashkëpunim në kuadër të operacioneve ushtarake në përmbushje të angazhimeve të Aleancës dhe më gjerë për menaxhimin e krizave në funksion të paqes dhe stabilitetit, modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare etj. Ky bashkëpunim dhe mbështetje në fushën ushtarake, ndër vite  ka qenë i shkëlqyer dhe me tendenca për konsolidim të mëtejshëm”, - u shpreh ndër të tjera gjenerale brigade Shehu.

Nga ana i tij atasheu ushtarak italian, kolonel Cornacchia, pasi falënderoi gjenerale brigade Shehun për pritjen e ngrohtë dhe tepër miqësore, e uroi atë për detyrën e re të zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura shqiptare dhe theksoi me nota pozitive bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve dhe në veçanti ato në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. ”Forcat e Armatosura italiane kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin ndihmë Forcave të Armatosura shqiptare në fusha të ndryshme si, në fushën e edukimit, trajnimit dhe në atë të misioneve të përbashkëta në dobi të sigurisë dhe paqes kudo në botë” - u shpreh kolonel Cornacchia.

Në përfundim të takimit, të dy bashkëbiseduesit shprehën bindjen se bashkëpunimi ushtarak Shqipëri-Itali  është i rëndësishëm, jo vetëm në kuadër të bashkëpunimit dy palësh, por edhe si dy vende anëtare të NATO dhe do të njohë gjithmonë rritje në interes të përbashkët.







Media Sociale



Moti