Kremtohet 97 - vjetori i krijimit të Armës së Xhenios dhe Artilerisë

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Në ambientet e Batalionit të Xhenios (bxh) është zhvilluar paraditen e sotme një ceremoni e veçantë me rastin e 97 - vjetorit e krijimit të Armës së Xhenios dhe Artilerisë.

Në këtë ceremoni morën pjesë ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandantë të forcave, drejtorë drejtorish në MM dhe SHP, si dhe ish-artiljerë dhe ish-inxhinierë të cilët kanë shërbyer ndër vite pranë këtyre armëve.

Ministrja Xhaçka në fjalën e saj përshëndetëse pasi falënderoi të gjithë ish - ushtarakët që kanë shërbyer ndër vite në Batalionin e Xhenios dhe të Artilerisë, shprehu vlerësim dhe mirënjohje të veçantë për efektivët e Batalionit të Xhenios. “Vetëm në 3 muajt e fundit, efektivët e Batalionit Xhenio i kanë ardhur në ndihmë mbi 25 mijë banorëve në zona problematike duke ndërtuar 12 ura. Por jo vetëm kaq, njësitë edhe repartet xheniere kanë marrë pjesë në riparimin e rrugëve, në tharjen e kënetave, në ndërtimin e kanaleve bonifikuese, argjinaturave, hidrovorëve ujësjellësve, eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore si tërmet dhe përmbytjet, pa harruar edhe ndërtimin e tuneleve dhe bazave tona ushtarake. Përballimi me sukses i emergjencave civile në ditët e para të muajit dhjetor ishte treguesi më i mirë se, Forcat e Armatosura janë në krye të detyrës në çdo moment me atdhedashurie dhe me përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj punës.

Më tej gjatë fjalës së saj, ministrja Xhaçka vlerësoi kontributin e efektivëve të Xhenios jo vetëm në infrastrukturë, por dhe në mbështetjen e banorëve të prekur nga përmbytjet duke shpërndarë ndihmat e mbledhura nga Forcat e Armatosura dhe jo vetëm. ”Krahas kontributit në ndërtimin e urave në kohë rekord efektivët e Komandës Mbështetëse, shpërndanë mbi 800 ton produkte ushqimore dhe blegtorale në 6 bashki. Më shumë se 5 mijë familje,  u asistuan nga efektivët e FA për të kapërcyer pasojat e përmbytjeve.” - theksoi Ministrja Xhaçka.

Në përfundim të fjalës së saj, ministrja e Mbrojtjes znj Olta Xhaçka, garantoi edhe njëherë mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë së Mbrojtjes në modernizimin e Forcave të Armatosura Shqiptare. ” Rikonfirmoj se, qeveria shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes është e angazhuar në një proces modernizimi të Forcave të Armatosura, me synim rritjen dhe përmirësimin cilësor të kapaciteteve operacionale të strukturave tona ushtarake, veçanërisht, të atyre strukturave që janë pjesë e mbrojtjes kolektive të NATO.” - u shpreh ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka në ceremoninë e zhvilluar, me rastin e përvjetorit të 97-të  të krijimit të Armës së Xhenios dhe të Artilerisë.







Media Sociale



Moti