SHSHPFA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, merr pjesë në takimin e 178 Komitetit Ushtarak në nivel SHSHP të vendeve të NATO

Në Shtabin Qendror të NATO, Bruksel, Belgjikë, më 16-17 janar 2018, u zhvillua takimi i radhës i Komitetit Ushtarak në formatin e SHSHP të vendeve të NATO. 

Takimi pati një axhendë të ngjeshur gjatë të cilës Shefat e Mbrojtjes së vendeve të NATO diskutuan mbi një spektër të gjerë çështjesh dhe detyrash që i përkasin Aleancës, si dhe mundësuan dhënien e direktivave dhe udhëzimeve të tyre.

Fillimisht sekretari i Përgjithshëm i NATO, z. Jens Stoltenberg, shpalli para Komitetit Ushtarak prioritetet politike dhe ushtarake të samitit të ardhshëm të NATO në korrik 2018, ndërkohë që pati shkëmbime mendimesh nga pjesëmarrësit në lidhje me këto tema.

Në sesionin e dytë u diskutua me partnerët e NATO në lidhje me sigurinë dhe stabilitetin në pjesën jugore të Aleancës. Kjo është një nga sfidat ndërkombëtare më të mëdha të sigurisë dhe që ka ndikim në pothuajse të gjithë vendet e globit. Qëllimi i këtij sesioni ishte rritja e kohezionit, shkëmbimi i eksperiencave, ekspertizave dhe ideve për përmirësimin e stabilitetit në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.

Gjatë sesionit të tretë, me partnerët në Misionin “Resolute Support” u diskutua për kontekstin strategjik, operacional dhe politik brenda dhe përreth Afganistanit si dhe për qëllimin kryesor të NATO aty për trajnimin, ndihmën dhe këshillimin e forcave dhe institucioneve të sigurisë afgane. SHSHPFA, theksoi rëndësinë e vijimit të angazhimit të vendeve aleate duke përmendur edhe faktin e rritjes së kontributit të FARSH në këtë mision gjatë 2018.

Një temë tjetër e programit të takimit ishte diskutimi mbi përshtatjen e strukturës së Komandës së NATO. Shefat e Mbrojtjes së Aleancës u shprehën se është e qenësishme që NATO të ketë një strukturë të plotë, të zhdërvjellët dhe që i shërben qëllimit të saj. Shefat e Mbrojtjes së NATO miratuan rekomandimin e autoriteteve ushtarake të NATO për strukturën e adaptuar si dhe sugjeruan në lidhje me implementimin e saj.

Gjithashtu gjatë takimit të Komitetit Ushtarak pati edhe sesione me diskutime në lidhje me transformimin e koalicionit global kundër ISIS dhe rolit të NATO në Irak, si dhe për çështje të sigurisë dhe stabilitetit në Ukrainë dhe Gjeorgji.

Në fund u diskutua mbi aspektet ushtarake të koherencës së NATO lidhur me forcimin e parandalimit dhe mbrojtjes (deterrence & defence) së Aleancës.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, pati një takim edhe me ushtarakët shqiptarë që shërbejnë në Përfaqësinë Ushtarake në NATO, Belgjikë.







Media Sociale



Moti