Ministrja Xhaçka prezanton në detyra të reja tre gjeneralë të Forcave të Armatosura

Ministrja e Mbrojtjes, znj. Olta Xhaçka ka prezantuar gjeneral brigade Manushaqe Shehu, e cila merr detyrën e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, general brigade Bajram Begaj i cili merr detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes dhe gjeneral brigade Dedë Prenga, i cili merr detyrën e zëvendëskomandantit të Forcës Tokësore.

Në këtë ceremoni të veçantë të organizuar në hollin e Shtabit të Përgjithshëm morën pjesë gjithashtu edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, komandantë të forcave, si dhe drejtorë drejtorish në MM dhe SHP.

Ministrja Xhaçka e nisi prezantimin me gjenerale brigade Manushaqe Shehu, duke u shprehur se: ’Do ta nis nga gjenerale Shehu; është detyra më e lartë që një grua ka mbajtur në Forcat e Armatosura, një detyrë që gjenerale Shehu do e kryejë me përkushtim ashtu siç ka kryer tërë detyrat e saj.

Më pas ministrja Xhaçka shprehu vlerësimin dhe konsideratat më të larta dhe për dy gjeneralët Begaj dhe Prenga, të cilët me eksperiencën dhe përvojën e tyre do të bëjnë të mundur të sjellin ndryshime sasiore dhe cilësore. “Forca Tokësore është një prioritet për ne dhe, gjeneral Prenga, në detyrën që i caktohet, që është një detyrë shumë e rëndësishme, me eksperiencën dhe përvojën e tij të gjatë do ta kryejë me mënyrën e tij më të mirë të mundshme. Po ashtu dua të vlerësoj dhe gjeneral Begajn, një akademik, “profesor doktor i asociuar”, jam shumë shpresëplotë që nën drejtimin e tij KDS do të shikojë një ndryshim sasior dhe cilësor. Unë pres nga ju gjeneral Begaj dhe stafi tuaj, një plan shumë ambicioz të drejtimit të KDS, si një institucion shumë të rëndësishëm për ushtarakët tanë, por dhe për sfidat e reja që na presin”, - u shpreh ministrja Xhaçka.

Në emër të tre gjeneralëve të sapoemëruar në detyra të reja dhe shumë të rëndësishme përshëndeti gjenerale brigade Manushaqe Shehu, e cila falënderoi ministren e Mbrojtjes, znj. Olta Xhaçka dhe kryeministrin e vendit z. Edi Rama për vlerësimin e dhënë.







Media Sociale



Moti