Komandanti i KFOR gjeneralmajor Giovanni Fungo vizitë zyrtare në vendin tonë

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Komandanti i KFOR gjeneralmajor Giovanni Fungo, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u prit nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku. Vizita e gjeneralmajor Fungo në vendin tonë zhvillohet në kuadër të diskutimeve të çështjeve kyçe të sigurisë, por edhe për mbarëvajtjen dhe vijimin e mbështetjes së vendit tonë për Operacionin e NATO në Kosovë (KFOR). 

Në takimin e zhvilluar me komandantin e KFOR gjeneralmajor Giovanni Fungo, gjeneral brigade Kollçaku, pasi i ka uruar mirëseardhjen, u shpreh se FARSH do të vazhdojnë të mbështesin KFOR në përmbushjen e angazhimeve të tij.” Vlerësoj rolin dhe lidershipin e tij personal për drejtimin e misionit KFOR, për menaxhimin me sukses të situatës në disa raste shumë delikate dhe të vështirë. Roli i KFOR është një faktor stabiliteti jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon”, - u shpreh gjeneral brigade Kollçaku.

Më tej gjatë takimit gjeneral brigade Kollçaku vlerësoi ndihmën dhe bashkëpunimin e KFOR me Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke e ndihmuar këtë forcë drejt transformimit të saj në një forcë të armatosur.

Nga ana e tij, komandanti i KFOR, gjeneralmajor Fungo pasi falënderoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade, Bardhyl Kollçaku për mikpritjen, vlerësoi kontributin e Shqipërisë në misionin KFOR, ku ushtarakët shqiptarë kanë treguar dhe tregojnë një performancë të lartë. “Vlerësoj rolin e Shqipërisë dhe Forcave të Armatosura të RSH si një partner shumë të besueshëm. Gjithashtu, e vlerësoj mbështetjen e KFOR, në sigurimin e rrugëkalimit nga pika hyrëse në Portin e Durrësit deri në kufi”. 

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën në situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, duke shprehur shqetësime të përbashkëta në lidhje me rreziqe dhe kërcënime që i kanosen Kosovës, rajonit dhe më gjerë.

Takimi u mbyll me nënshkrimin e librit te përshtypjeve dhe shkëmbimin e dhuratave.

Më herët komandanti i KFOR, gjeneralmajor Fungo u prit në një takim të veçantë nga zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, i cili e cilësoi misionin KFOR histori suksesi. “Ne e konsiderojmë KFOR një histori suksesi të NATO. KFOR garanton siguri dhe stabilitet për gjithë qytetaret e Kosovës. Por nga ana tjetër ne jemi avokatë të vendosur të shndërrimit të FSK në Forcë të Armatosur. Kjo do i shërbejë paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon. Kjo çështje duhet të vazhdojë të diskutohet në radhët e Aleancës”, - u shpreh z. Koçi.

 







Media Sociale



Moti