Gjeneral brigade Kollçaku nderon me “Certifikatë Mirënjohje” fituesin e medaljes së bronzit, detar Haxhi Sina


Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, i ka akorduar “Certifikatë Mirënjohjeje”, detar Hashi Sina, me motivacionin ”Për performancën e shkëlqyer të arritur në Kampionatin Botëror Ushtarak të Mundjes që u zhvillua në periudhën 18-25 shtator 2017, në Klaipeda, Lituani”.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rasti ishin të pranishëm gjithashtu dhe zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH gjeneral brigade Dedë Prenga, si dhe drejtorë drejtorish në Shtabin e Përgjithshëm.

Gjeneral brigade Kollçaku duke shprehur kënaqësinë e veçantë dhe krenarinë e ndjerë nga përfaqësimi dinjitoz i detar Haxhi Sinës në Kampionatin Botëror Ushtarak të Mundjes, e falënderoi atë dhe në emër të ministres së Mbrojtjes dhe gjithë Forcave të Armatosura. ”Është vërtet një kënaqësi e veçantë për mua t’ju akordoj ‘Certifikatën e Mirënjohjes’. Më keni bërë shumë krenar dhe me këtë rast dua t’ju falënderoj ju detar Sina, trajnerin tuaj si dhe të gjithë ata që janë angazhuar për përfaqësimin tuaj sa më dinjitoz në këtë event kaq të rëndësishëm, ku për herë të parë një sportist i FARSH ngjitet në nivele kaq të larta në arenën ndërkombëtare...”, - u shpreh ndër të tjera gjeneral brigade Kollçaku

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjithashtu u ka akorduar certifikatë mirënjohjeje dhe trajnerit, kapiten Zylfi Shehu dhe përfaqësuesit të Shtabit të Përgjithshëm, kapiten Emiljano Ndoni, të cilët kontribuan në përgatitjen e ekipit përfaqësues, me motivacionin: ”Për përkushtimin dhe kontributin e shquar në përgatitjen e ekipit pjesëmarrës në Kampionatin Botëror Ushtarak të Mundjes që u zhvillua në periudhën 18-25 shtator 2017, në Klaipeda, Lituani”.

 







Media Sociale



Moti