Gjeneral brigade Kollçaku i akordon ing. Veip Bello “Certifikatën e Mirënjohjes”

 

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku i ka akorduar nënkolonel® Veip Bello, “Certifikatë Mirënjohje”, me motivacionin: “Për përkushtim dhe kontribut të shquar të dhënë gjatë karrierës ushtarake dhe civile në Forcat e Armatosura. Kontributi dhe ekspertiza e tij e vyer ka lënë gjurmë në hartimin e politikave dhe kapaciteteve të mbështetjes logjistike në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë si dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore në mbështetje të komunitetit”.

Ky event ka mbledhur në mjediset e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura drejtues të lartë të Shtabit të Përgjithshëm, përfaqësues të Drejtorisë së Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm të FA, si dhe kolegë të nënkolonel® Bellos.

Nënkolonel® Veip Bello ka një kontribut të shquar dhe një karrierë shumë të gjatë, duke kryer detyra shumë të rëndësishme në Forcat e Armatosura. Karriera e tij ushtarake e cila ka nisur që në vitin 1976 dhe ka kulmuar në Drejtorinë e Logjistikës, duke shërbyer në një nga sektorët më të rëndësishëm, sektorin e mirëmbajtjes.

Pas daljes në rezervë, nënkolonel® Bello ka dhënë një kontribut të çmuar në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe bashkëpunimin me komunitetit. “Dua t’ju them se ing. Bello do mbetet një model për të gjithë ushtarakët që vazhdojnë të shërbejnë si punonjës funksionarë civilë në Forcat e Armatosura të RSH. Puna e ing. Bellos është e prekshme dhe ka lënë gjurmë kudo, në manualet dhe rregulloret e mbështetjes logjistike me ekspertizën e tij, e cila do t’u shërbejë brezave të rinj të oficerëve të logjistikës”, u shpreh gjeneral brigade Kollçaku.

Duke e falënderuar për kontributin e dhënë, gjeneral brigade Kollçaku shprehu vlerësimin e tij maksimal për performancën e shkëlqyer dhe i uroi ing. Bellos shumë shëndet dhe suksese në jetë dhe familje.







Media Sociale



Moti