Ndahet nga jeta ish komandanti i Aviacionit Luftarak Shqiptar Edip Ohri

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli dhe zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Dedë Prenga morën pjesë dhe vendosën kurora në homazhet e zhvilluara në hollin kryesor të Muzeut të FA, në nder të jetës dhe veprës së ish komandantit të Aviacionit Luftarak Shqiptar Edip Ohri, i cili u nda nga jeta në moshën 92 vjeçare.

Në homazhe morën pjesë gjithashtu ish - pilotë, veteranë  dhe ushtarakë aktivë të Forcës Ajrore, kolegë dhe ish - ushtarakë të Ushtrisë Shqiptare që kanë punuar dhe shërbyer ndër vite.

Më herët zëvendësshefi i Shtabi të Përgjithshëm gjeneral brigade Dedë Prenga, me anë të një telegrami ngushëllimi drejtuar familjes i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emër të tij dhe të gjithë Forcave të Armatosura.

Kjo humbje e thellë ka prekur jo vetëm familjen dhe të afërmit, por edhe të gjithë  ushtarakët dhe civilët në FA, ku kolonel (R) Ohri shërbeu me përkushtim  një jetë të tërë. Jemi pjesë e hidhërimit, prandaj edhe ndajmë dhimbjen me  ju. Për të gjithë ata që jeta dhe puna i bashkuan me kolonel Ohrii në përpjekjet e  përbashkëta, ai do të kujtohet gjithmonë si ushtarak i shkëlqyeshëm, e si një komandant mjaft i aftë dhe i përkushtuar i Forcave Ajrore dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Me vdekjen e tij familja ka humbur njeriun më të shtrenjtë, fëmijët humbën babain shembullor, kolegët dhe shokët mikun e tyre më të mirë. Në emrin tim si dhe të gjithë personelit të Forcave të Armatosura, ju lutem pranoni  ngushëllimet më të thella dhe të sinqerta. Jemi përkrah jush, në përballimin e kësaj dhimbjeje të thellë”, - është shprehur ndër të tjera gjeneral Deda në telegramin drejtuar familjes. 

***         

Komandant Edipi Ohri lindi më 3 janar 1925 në qytetin e Strugës.
Studioi dhe u diplomua si pilot luftarak  në ish-Bashkimin Sovjetik në vitet 1945 - 1948.

Në  vitet 1949 - 1952, studioi  në Akademinë e Forcave Ushtarako-Ajrore të ish-BS, në Fakultetin e Komandimit, në Moskë. Pas përfundimit të studimeve në këtë akademi emërohet komisar i Skuadriljes së Parë të Aviacionit Shqiptar.

1954 - 1955 dërgohet përsëri në ish-Bashkimin Sovjetik, në shkollën e lartë të Aviacionit për përvetësimin e përdorimit luftarak të avionëve reaktivë MIG-15.

Në maj të vitit 1955 emërohet zëvendëskomandant i MKA dhe komandant i Aviacionit Ushtarak Shqiptar. Funksionin e komandantit të Aviacionit  të cilin e ka kryer deri në vitin 1975, kohë në të cilën u zhvendos në postin e këshilltarit të komandantit të Aviacionit, deri në daljen në pension në shtatorin e vitit 1975.

Gjatë 20 viteve  të kryerjes së kësaj detyre, Aviacioni Luftarak, do të përballej me shumë sfida të mëdha të kohës. Ishin pikërisht këto vështirësi që treguan dhe nxorën në pah vlerat e tij si komandant që frymëzonte çdo pilot teknik dhe inxhinier për zgjidhjen e këtyre problemeve. Edip Ohri fluturoi me 14 tip avionësh dhe helikopterësh të ndryshëm; me avion luftarak me helikë të tipit JAK e PO, me avion bombardues, me avion gjuajtës me helikë, me avionë reaktivë MIG-15, MIG-17, me avionin supersonik MIG-19, me helikopterë MI-4 dhe me avionët e transportit AN-2 e Il-14.

Në vitet që drejtoi Aviacionin Shqiptar kolonel Edip Ohri, datohen të gjitha rikonstruksionet dhe ndërtimet e mëdha të infrastrukturës së kësaj arme si në aerodromin e Kuçovës, në helidromin e Farkës, në aerodromin e Rinasit, në fushën e Pishë - Poros, në aerodromin e Gjadrit etj.

Edip Ohri e ndërpreu karrierën e tij ushtarake kur doli në pension në shtatorin e vitit 1975,  duke lënë pas përpjekjet dhe përkushtimin e tij maksimal, si dhe gjithë virtytet e një drejtuesi të devotshëm në rrugën e zhvillimit dhe konsolidimit të Aviacionit Luftarak Shqiptar.







Media Sociale



Moti