Shefat e Shtabit të Përgjithshëm në vite

Nënkolonel Ali Shkupi (4 maj 1913)

Nënkolonel Ali Shefqet Shkupi

Nënkolonel Ali Shefqet Shkupi, personalitet në ushtrinë osmane, ish-komandant i garnizonit të Stambollit me gradën “bimbash”. Nënkolonel Ali Shkupi ka qenë shef i Shtatmadhorisë I Shqiptare me funksionet e komandantit suprem të Ushtrisë Shqiptare në qeverinë e Ismail Qemalit. Braktisi ushtrinë osmane, kur ishte komandant i garnizonit të Stambollit. Për herë të parë në historinë shekullore Shtabi Madhor (SHM) i drejtuar nga Ali Shkupi, u bë organizatori i strukturave kryesore përbërëse të Ushtrisë Shqiptare (USH) me forca aktive, rezervë, vullnetare dhe xhandarmëri. Ali Shkupi ishte arkitekt i krijimit të Kompanisë I Ushtarake Shqiptare, model për gjithë ushtrinë e re shqiptare. Ai përballoi me sukses dy ndër sfidat themelore: organizimin dhe ngritjen e FA, dhe njëherazi, ruajtjen e rendit dhe qetësisë. Në dokumentet e kohës shkruhet: “Sapo arriti në Vlorë, Ali Shefqeti u prit me nderime të larta nga patriotët më të njohur shqiptarë që ndodheshin në atë qytet, si dhe nga vetë kryeministri Ismail Qemali”. Disa ditë pasi mbërriti në Vlorë, kryeministri Ismail Qemali e dekretoi Ali Shefqetin në funksionin e lartë të shefit të SHM të së parës USH të sapokrijuar. Ali Shefqeti u mor me organizimin e strukturave të USH duke krijuar degët e armëve më të domosdoshme, si edhe policinë. Për herë të parë kemi hartimin e një rregulloreje ushtarake shqiptare me 7 nene e të shumë urdhrave e urdhëresave, në funksion të funksionimit të SHM. Ai ishte ideatori i krijimit të rregullores për organizimin e Milicisë Shqiptare, rregullore që u miratua nga qeveria e Ismail Qemalit më 3 qershor, 1913. Ali Shefqeti ndikoi në zbatimin e përpiktë në përputhje me realitetin shqiptar të të gjithë planeve për ndërtimin e FA. Në janar 1920, pas Kongresit të Lushnjës, u ringrit edhe struktura e Shtatmadhorisë me në krye nënkolonel Ali Shefqet Shkupin.

Gjeneral Ali Kolonja (nëntor 1920)

Gjeneral Ali Riza Kolonja, përveç detyrës si ministër Lufte në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare (UKSH) në vitet ‘20, pas Kongresit të Lushnjës me kryeministër Sulejman Delvina, ka kryer edhe detyrën e kryetarit të Shtabit Madhor si dhe njëherësh edhe detyrën e komandantit të vetëm të divizionit që kishte në atë kohë Shqipëria. Ai ishte lindur në Kolonjë më 1880 dhe u arsimua në Manastir, në Stamboll ndërsa akademinë e shtabit e kishte kryer në Gjermani. Kishte kryer me dhjetëra detyra në ushtrinë osmane e deri ministër Lufte në vendin e vet; kishte kulturë të gjerë ushtarake, prirje në diplomacinë ushtarake dhe zotëronte pesë gjuhë të huaja. Në 1922 ishte pjesëtar në Komisionin Ndërkombëtar të Katër Fuqive nënshkruese për kufijtë e Shqipërisë. Komandoi për herë të parë divizionin e parë që u krijua në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare. Ishte organizator edhe në mbrojtjen në terren kundër forcave serbe e greke. Si ministër Lufte vuri për herë të parë në zbatim ligjin për rekrutimin ushtarak. Është shuar në vitin 1930, por në kujtesën e kombit ka ngelur për ringritjen e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe për mbrojtjen e kufijve shtetërorë.
Major Xhavid Leskoviku (dhjetor 1921)

Major Xhavit Leskoviku

Major Xhavid Leskoviku, lindi më 2 maj 1882 në Leskovik. Ndoqi studimet në Akademinë e Luftës në Stamboll, dega këmbësori (Pyade) dhe u titullua oficer më 1 gusht 1907. Ai shërbeu për gjashtë vjet me radhë në ushtrinë osmane në disa detyra. Më 1 janar 1913, hyn në shërbim të UKSH. Ai shërbeu në qeverinë e Ismail Qemalit si dhe në ushtrinë e Vilhelm Vidit. Duke qenë ushtarak me kulturë të gjerë u caktua me ushtarakët hollandezë. Xhavid Leskoviku u caktua të gjykonte komplotin e xhonturqve, ushtarakët e kohës në Gjykatën Ushtarake të Vlorës. Në nëntor të vitit 1919, Xhavid Leskoviku bënte pjesë në organizatën politike “Krahu Kombëtar”; mori pjesë në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës në janar 1920. Me krijimin e ushtrisë nga fundi i këtij viti emërohet kryetar i Shtatmadhorisë ndërkohë që ministër Lufte ishte gjeneral Ali Riza Kolonja. Në 1924 është dërguar atashe ushtarak në Beograd, më vonë ambasador në Shkup dhe së fundi në Ankara. Është akuzuar dhe dënuar pas luftës si bashkëpunëtor me kuislingët në vitin 1945. Është dalluar si ushtarak profesionist në ngritjen e UKSH dhe si drejtues i Shtatmadhorisë Shqiptare.

Major Bajram Fevziu (qershor 1923)

Major Bajram Fevziu

Major Bajram Fevziu, ka qenë i njohur si një nga drejtuesit e SHM, por edhe si personalitet politik i botës shqiptare së kohës. Bajram Fevziu lindi në 1884, në Kolonjë. Me përfundimin e shkollës së mesme shkoi në Stamboll ku përfundoi studimet në Akademinë Ushtarake (1906). Kreu studimet në Akademinë e Shtatmadhorisë (Vjenë, 1908). Kur në Shqipëri u shpall pavarësia, ai ndihmoi në organizimin e UKSH në drejtimin e formacioneve të Vlorës. Me ardhjen e qeverisë së Princ Vidit (mars '14), vihet në shërbim të forcave ushtarake të saj me gradën toger. U shqua për besnikëri, atdhetarizëm, vendosmëri dhe aftësi ushtarake. Me gradën major zëvendësoi Xhavid Leskovikun në postin e kryetarit të SHM të UKSH. Këtë post e mbajti edhe në qeverinë e Fan Nolit, deri më 24 dhjetor 1924. Pas rikthimit, Zogu shpërndau Ministrinë e Luftës, duke krijuar “Komandën e Përgjithshme të Forcave Armate”; shpërndau ushtrinë dhe oficerët e saj duke i cilësuar ata si mbështetës të Lëvizjes së Qershorit. Major Fevziu u përfshi në grupin që u nxor në lirim pa asnjë shpërblim (1925, ai ishte vetëm 41 vjeç dhe vuante nga një sëmundje e pashërueshme). Në vitin 1914 u fut në përbërje të një komisioni të fshehtë të Lëvizjes Kombëtare në Shkodër. Në të bënte pjesë Estref Frashëri, Sotir Peçi, Ali Shefqeti, Hoxhë Kadriu e më pas edhe Bajram Curri (ushtarakëve të viteve '20-'40 u lejohej të merrnin pjesë në jetën politike si anëtarë të një partie, apo edhe të kandidonin për në parlamentin e vendit). Ai zgjidhet deputet i Matit në zgjedhjet e vitit 1921. Në 1919 kishte qenë prefekt në Shkodër. U detyrua të largohej nga karriera e tij në mesmoshë, ndonëse vijoi të punonte në heshtje dhe në ilegalitet. Shuhet nga jeta në Vjenë në 1928.

Gjeneral Gustav von Myrdacz (janar 1925)

Gjeneral Gustav Von Myrdac

Gjeneral Gustav von Myrdacz, me origjinë austriake ju ofrua posti i kryetarit të ShM në të njëjtën kohë që kryente edhe detyrën e organizatorit të Ushtrisë Shqiptare që e mbante qysh prej vitit 1922. Ai kishte lindur në 7 dhjetor 1876 në Vjenë, kryeqytet i Austro-Hungarisë. Ai kishte përfunduar studimet në Akademinë Ushtarake të Austrisë dhe u titullua oficer në 18 gusht 1897. Vjen në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore. Më 20 maj 1922, ftohet nga ministri i Punëve të Brendshme Ahmet Zogu. Më 18 janar 1925, me riorganizimin e UKSH, Myrdac emërohet kryetar i Shtatmadhorisë dhe organizatori kryesor i UKSH. Në vitin 1933 i jepet grada gjeneral, gradë me të cilën punoi për UKSH deri me pushtimin e Shqipërisë në vitin 1939. Ai rishfaqet përsëri në kohën e pushtimit me tendencat për ngritjen e ushtrisë së pavarur shqiptare nën drejtimin e Komandës së Mbrojtjes Kombëtare, që me pushtimin gjerman u emërtua: “Komanda Shqiptare e Mbrojtjes”. Kjo ishte një UKSH krejtësisht fiktive, ku shef i Shtabit të Përgjithshëm u caktua Myrdacz, ndërsa komandant i përgjithshëm Preng Prevezi. Ai u dënua nga gjyqi special në 1945 si “kriminel lufte”. Gjeneral Myrdacz ka kontribuar në ngritjen e UKSH në vitet 1022-1939. Në 1923 ka paraqitur një projekt për reformimin e ushtrisë shqiptare ndonëse nuk u vu dot në veprim.

Gjeneral Spiro Moisiu (10 korrik 1943 - gusht 1946 )

Gjeneral Spiro Moisiu

Gjeneral Spiro Moisiu, lindi në vitin 1900 në qytetin e Kavajës. Pasi mbaroi shkollën unike në qytetin e Kavajës dhe Durrësit, u dërgua për të ndjekur gjimnazin në Vjenë (Austri). Pas kthimit nga Austria aty nga viti 1918-1919, ai mbaroi një kurs disa mujor në Shkollën e Plotësimit të Oficerëve në Tiranë, e cila asokohe drejtohej nga instruktorë gjermanë e austriakë, ku mori gradën e nëntogerit. Një vit më pas, mori pjesë në përbërje të forcave qeveritare që u caktuan në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës dhe po atë vit ai u caktua në detyrën e shefit të Shtabit të Grupit në luftimet që zhvilluan në Kaptinë të Martaneshit kundra forcave serbe. Në vitin 1923, ai mbaroi në Tiranë kursin tjetër 1-vjeçar të oficerëve që asokohe drejtohej nga ushtarakët gjermanë ku mori gradën e togerit. Në Kryengritjen e Qershorit të vitit 1924, Spiro u rreshtua përkrah ushtarakëve të komanduar nga kolonelët Rexhep Shala dhe Kasëm Qafzezi, të cilët u bashkuan me forcat fanoliste. Po kështu, në dhjetorin e '24, Moisiu mori pjesë me forcat qeveritare që dolën në Shkallën e Tujanit për të penguar kthimin e Zogut. Në '25 duke pasur parasysh aftësitë e tij si ushtarak tepër i aftë, kryeministri Ahmet Zogu e titulloi përsëri toger Moisiun, oficer në UKSH. Karriera e tij ushtarake erdhi në ngritje pas viteve '30, kur ai mbaroi me rezultate të shkëlqyera në Tiranë Shkollën e Perfeksionimit të Oficerëve, që drejtohej nga instruktorët italianë (nga 43 pjesëmarrës renditet i pari duke marrë gradën e kapitenit). Në fund të '40, dërgohet në krye të Batalionit “Tomorri” për të marrë pjesë në luftën italo-greke, por, nuk pranoi të luftonte dhe u tërhoq nga fronti së bashku me major Prenk Përvizin, duke nxitur kështu dezertimet në radhët e ushtarëve shqiptarë. Pas nxjerrjes në lirim, në vitet 1941-1942, Moisiu u vendos në zonat e Lushnjës e Beratit dhe hyri në lidhje me ish-ushtarakë të tjerë të Monarkisë që kishin filluar organizimin e ngritjen e çetave të para partizane. Duke pasur parasysh të kaluarën e tij të papërlyer dhe aftësitë e rralla si ushtarak i karrierës, në korrikun e vitit 1943, krerët e PKSH e thërritën atë në Labinot të Elbasanit ku dhe i propozuan detyrën e komandantit të Përgjithshëm të UNÇ. Ai mbajti vetëm detyrën e komandantit të Shtabit të Përgjithshëm.

Gjeneralkolonel Mehmet Shehu (gusht 1946)

Gjeneralkolonel Mehmet Shehu

Gjeneralkolonel Mehmet Shehu, lindi më 10 janar 1913, në fshatin Çorrush të Mallakastrës. Në vitin 1932 përfundon shkollën teknike dhe shkon në Napoli për të studiuar në Kolegjin Ushtarak, ku përjashtohet për ide revolucionare. Largohet nga Italia dhe kthehet në Shqipëri ku burgoset 2-3 muaj në Tiranë. Me daljen nga burgu punon në fermën e Shkollës Teknike si traktorist. Ndjek Shkollën e Plotësimit të Oficerëve dhe titullohet në vitin 1937, ndërsa në dhjetor të atij viti shkon në Spanjë ku merr pjesë në Br12 Ndërkombëtare “Garibaldi”, dhe komandoi batalionin e IV të saj. Më 1939, pas çmobilizimit të vullnetarëve të huaj kthehet në Francë dhe qëndron në një kamp përqendrimi. Rikthehet në atdhe në gusht '42 dhe caktohet sekretar organizativ i Qarkut të Vlorës për PKSh. Gjatë LANÇ ka qenë në shkurt 1943, komandant i Çetës Plakë të Mallakastrës; në gusht 1943, komandant i Br1S; në maj 1944, komandant i D1S me gradën kolonel dhe në tetor 1944 gradohet gjeneralmajor. Pas çlirimit dërgohet për studime në Bashkimin Sovjetik. Në periudhën 1945-1946 studion në AU “Voroshillov” dhe pas përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri, ku në vitin 1946, emërohet shef i SHP. Në periudhën 1948-1954 kryen njëkohësisht detyrën e zëvendëskryeministrit dhe atë të ministrit të Punëve të Brendshme; kryeministër (1954-1981); ministër i Mbrojtjes (1974-1981). Njohës i pesë gjuhëve të huaja: anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht dhe rusisht.

Gjenerallejtënant Beqir Balluku (1952)

Gjenerallejtënant Beqir Balluku

Gjenerallejtënant Beqir Balluku, lindi më 14 shkurt 1917 në Tiranë. Studioi në Shkollën Teknike të Tiranës. U përfshi në lëvizjen komuniste gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak, 1940 deri 1942. Më 20 maj 1943, u caktua komandant i batalionit partizan “Krujë-Ishëm”, më 18 shtator 1943, komisar i Brigadës së Tretë dhe më pas komandant i Brigadës së Dytë Sulmuese. Më 28 janar 1948, ishte emëruar kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë. Kreu në Moskë, Akademinë Ushtarake “Voroshillov”. Në Kongresin e Parë të PPSH u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe në vitin 1953, ministër i Mbrojtjes Popullore. Një vit më pas mori gradën më të lartë në Shqipëri, atë të gjenerallejtënantit. Balluku ishte gjithmonë deputet i Kuvendit Popullor. Në korrik të vitit 1974, ai u akuzua si organizues i veprimtarisë puçiste ushtarake nga diktatura dhe u dënua me vdekje. U pushkatua më 5 nëntor 1975 për tradhti të lartë ndaj atdheut.

Gjenerallejtënant Arif Mema (1954)

Gjenerallejtënant Arif Hasko Mema

Gjenerallejtënant Arif Hasko Mema, lindi në Tërbaç të Vlorës dhe është njohur gjatë Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e vendit me pseudonimin “Patrioti”. Pasi mbaroi filloren në vendlindje, vazhdoi shkollën tregtare në Vlorë. Ai ka udhëhequr gjatë LANÇ formacione të rëndësishme partizane që nga Vlora e deri në veri të Shqipërisë. Në dhjetor të 1943, inkuadrohet në Br1S duke kryer detyra të ndryshme deri komisar politik i kësaj brigade. Mbas çlirimit kryen Akademinë e Lartë të Shtabit të Përgjithshëm, në Bashkimin Sovjetik. Më vonë kryen detyra të larta si komisar divizioni, korpusi, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe zëvendësministër i Mbrojtjes Popullore. Ai tërë jetën e tij qëndroi besnik i idealeve të LANÇ. Ai kreu detyrën e zëvendëskryetarit të Parë të Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ. Për kontributet e tij është nderuar me shumë urdhra e medalje të akredituara nga ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Gjenerallejtënant Petrit Dume (1956)

Gjenerallejtënant Petrit Dume

Gjenerallejtënant Petrit Dume, lindi më 20 maj 1920, partizan, komandant brigade, komandant divizioni, Hero i Popullit (me vendim të qeverisë e Politbyrosë së PPSH) e më pas, në vitin 1974, u shpall Armik i Popullit (konsideruar si puçist). Deputet i arsimuar në dy akademi ushtarake sovjetike, shef i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura Shqiptare, shefi më jetëgjatë në SHP. Ai ka qenë deputet në të gjitha legjislaturat. Në korrik të vitit 1974 u akuzua si organizues i veprimtarisë puçiste ushtarake dhe u dënua me vdekje. U pushkatua më 5 nëntor 1975 për tradhti të lartë ndaj atdheut. Eshtrat ju gjetën në verën e vitit 2001 pranë fshatit Vranisht të Vlorës.

Sami Meçollari (1974)

Sami Meçollari

Sami Meçollari ishte shef i SHP për një periudhë të shkurtër. Në '74 ka qenë drejtues i spikatur i formacioneve të mëdha ushtarake. Lindi më 10 mars 1937, në Marjan të Oparit (Korçë). Ka kryer shkollën ”Skënderbej”dhe Shkollën e Bashkuar të Oficerëve (SHBO) me rezultate të shkëlqyera. U titullua oficer me gradën toger në shërbimin e kimisë. Në vitet 1961-1965 kreu Akademinë Ushtarake (AU), në vitet 1967-1968 kursin e lartë të kuadrove madhorë pranë AU. Në arsimin e përgjithshëm civil, krahas shkollës pedagogjike përfundoi edhe Fakultetin e Inxhinierisë në UT, Shkollën e Lartë të Filozofisë, etj. Në të gjitha shkollat ka merituar vlerësimin shkëlqyeshëm. Fillimisht shërbeu si shef i shërbimit kimik i batalionit në Berat, i brigadës në Peshkopi (1960-1963), i Korpusit në Shkodër (1965-1967), shef operativ i Korpusit Shkodër (1968-1970). Shef i Shtabit të Korpusit të Gjirokastrës (1970-1972), komandant i këtij Korpusi (1973-1974) deri sa u emërua shef i SHP të USh. Në dhjetor '74, u lirua nga ky post dhe u caktua komandant brigade, komandant i shkollës ushtarake të oficerëve rezervë në Zall-Herr (Tiranë) dhe mbyll karrierën si komandant i SHLU në Rrëshen. Në '86 del në pension. Krijon organizatën e ushtarakëve "Pensionistë e të liruar" (OUPLSH), duke u zgjedhur kryetar i saj (1991).

Veli Llakaj (1975-1982)

Veli Llakaj

Veli Llakaj lindi më 18 shkurt 1935, në Kras të Tepelenës. Në vitin 1951 mbaron shkollën 7-vjeçare në vendlindje. Në vitet 1951-1954 punoi në gjeologji e tregti në Memaliaj. Në vitin 1954 shkon student në SHBO të cilën e mbaron më 1957 me rezultate të shkëlqyera dhe i jepet grada më e lartë, toger. Me mbarimin e shkollës në vitin 1957 emërohet në SHBO komandant toge, detyrë të cilën e kryen deri në vitin 1960. Ndërkohë ka mbaruar dhe gjimnazin “Qemal Stafa”, po në Tiranë. Në vitet 1960-1963 punoi instruktor në Drejtorinë e Përgatitjes Luftarake në MMP; në vitet 1963-1966 kryen AU; në vitet 1966-1967 shef shtabi i Br5S Vlorë; në vitet 1967-1968 oficer drejtimi pranë SHP; në vitet 1968-1971 është komandant i BrLK, Tiranë; në vitet 1971-1972 në Akademinë e SHP dhe komandant i Korpusit të Burrelit; në vitet 1972-1974 komandant i Korpusit të I të Mbrojtjes Bregdetare, Fier; në vitin 1974 emërohet zëvendësministër i parë dhe shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, detyrë të cilën e kryen deri në vitin 1982. Më 13 tetor 1982 në Komitetin Qendror i bëhet gjyqi politik si “puçist” e bashkëpunëtor i Mehmet Shehut dhe dërgohet në Cërrik. Në vitet 1978-1982 deputet i zonës së Kurveleshit të Sipërm në Tepelenë. Në vitet 1975-1982, një nga 5 anëtarët e Këshillit te Lartë të Mbrojtjes.

Kiço Mustaqi (1982-shkurt 1991)

Kiço Mustaqi

Kiço Mustaqi, ishte një ushtarak karriere i lindur në 22 mars 1938 në një fshat pranë Delvinës, Sarandë. Në detyrën e ministrit të Mbrojtjes vjen pasi kishte kryer detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare për nëntë vjet rresht. Në shkurt të vitit 1991 ngarkohet me detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Shqipërisë në përbërje të qeverisë së kryeministrit Fatos Nano dhe që u largua nga detyra me dorëheqjen e qeverisë në qershor të po atij viti.
Kolonel Halim Abazi (shkurt-qershor 1991)

Kolonel Halim Abazi

Kolonel Halim Abazi, lindi në dhjetor të vitit 1944 në Tërbaç të Vlorës. Ka kryer të gjithë llojet e arsimimit ushtarak shqiptar të cilat i ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera. Kështu në vitet 1953-1960 kreu studimet në shkollën ushtarake “Skënderbej”; në vitet 1960-1964 ka kryer Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe në vitet 1970-1972 Akademinë e Mbrojtjes (AM). Ka kryer detyra të nivelit më të lartë në ushtrinë shqiptare, përfshi edhe ato në nivelet e shkollave ushtarake. Në shkurt-qershor 1991, u përzgjodh në detyrën e lartë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Ka dalë oficer në rezervë në vitin 1993.

Gjeneralmajor Kostaq Karoli (qershor '91-gusht '92)

Gjeneralmajor Kostaq Karoli

Gjeneralmajor Kostaq Karoli, lindi në dhjetor të vitit 1945 në Korçë. Ka qenë ushtarak i talentuar, ka kryer të gjithë llojet e arsimimit ushtarak shqiptar të cilat i ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera. Në qershor 1991 deri në gusht 1992 ka kryer detyrën madhore të shefit të SHP. Ka komanduar FA kur kishin një efektiv të madh, si aktiv ashtu edhe rezervist, me rreth 16500 oficerë, 9000 nënoficerë, 60000 ushtarë e 8000 civilë, rezervistë rreth 450000 vetë dhe 230000 forca vullnetare. Me 22 divizione dhe tre forca që ishin: mbrojtja kundërajrore, flota luftarake-detare dhe aviacioni. SHP kishte nën komandë 127 brigada këmbësorie, brigada artilerie dhe brigada sulmuese; rreth 1050 tanke, rreth 4000 gryka zjarri artilerie tokësore; 34 regjimente të artilerisë kundërajrore pa llogaritur artilerinë kundërajrore të brigadave, etj. Në kufi, mitralozat e rëndë (armët roje), bateritë e gatshme të artilerisë kundërajrore, hapnin zjarr për 2-3 minuta. Për 20-30 minuta, batalionet mitraljerë në vijën e kufirit ishin bërë gati për luftim; për 15-20 minuta, artileria tokësore e gatshme kishte hapur zjarr. Ka punuar dhe punon në sektorët shkencorë ushtarakë me titullin akademik “profesor”.

Gjeneral Ilia Vasho (1992-1994)

Gjeneral Ilia Vasho

Gjeneral Ilia Vasho, lindi më 10 korrik 1944 në Leskovik. Ka kryer të gjithë llojet e arsimimit ushtarak shqiptar si dhe kualifikimet më të larta ushtarake. Kështu në vitet 1962-1964 ka kryer Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe në vitet 1976-1978 Akademinë e Mbrojtjes. Ka kryer detyra të nivelit më të lartë në ushtrinë shqiptare përfshi edhe ato në nivelet e shkollave ushtarake. Mbante gradën shkencore “Doktor Shkencash”. Në 1992-1994 u përzgjodh për detyrën e lartë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Dalë oficer në rezervë në vitin 1997 nga funksioni që ka pasur si përfaqësues ushtarak në NATO, funksion që e kreu nga 1994 deri në 1997.

Gjeneral me katër yje Sheme Kosova (1994-1997)

Gjeneral me katër yje Sheme Kosova

Gjeneral me katër yje Sheme Kosova. Në periudhën 1994-1997 ka kryer detyrën madhore shef i Shtabit të Përgjithshëm. Sheme Kosova lindi në 24 mars 1949. Ndoqi studimet në Shkollën e Mesme Pedagogjike në 1967 dhe Shkollën e Lartë të Bashkuar në vitin 1971 ndërsa në vitet 1979-1981 ka përfunduar studimet në Akademinë Ushtarake. Ka kryer detyra të nivelit më të lartë në ushtrinë shqiptare deri në shef i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Shqiptare. Në 2 mars 1997 lirohet nga kjo detyrë madhore.

Gjeneralmajor Adem Çopani (mars-gusht 1997)

Gjeneralmajor Adem Çopani

Gjeneralmajor Adem Çopani, lindi në korrik të vitit 1944 në Tiranë. Ka kryer të gjithë llojet e arsimimit ushtarak shqiptar të cilat i ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera, si: shkollën ushtarake “Skënderbej”, Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe Akademinë e Mbrojtjes. Ka kryer detyra të nivelit më të lartë në ushtrinë shqiptare përfshi edhe ato në nivelet e shkollave ushtarake. Në vitet 1991 deri në mars 1997 ka kryer detyrën e këshilltarit ushtarak të presidentit të Republikës në një nga periudhat më të vështira e të errëta të ushtrisë shqiptare. Në mars të vitit 1997 zgjidhet në postin madhor të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, detyrë që e mbajti deri në gusht të vitit 1997. Në karrierën e tij ushtarake ka fituar edhe gradën shkencore “Doktor Shkencash” si dhe titullin akademik “Profesor”. Ka dalë oficer në rezervë në vitin 1997 dhe aktualisht është me banim në SHBA.

Gjeneral brigade Aleks Andoni (1997-2000)

Gjeneral brigade Aleks Andoni, ka lindur në 8 qershor 1956 në fshatin Vuno të Vlorës. Ka kryer arsimimin ushtarak në shkollën ushtarake “Skënderbej”, në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, në Akademinë e Mbrojtjes, si dhe kualifikimin pasuniversitar për pedagogji e psikologji. Ka kryer detyra të nivelit më të lartë në Ushtrinë Shqiptare përfshi edhe ato në nivelet e shkollave ushtarake. Në vitet 1992 deri në gusht 1997 ka dalë oficer në rezervë si rezultat i reformës ushtarake. Në shtator të vitit 1997 u përzgjodh nga klasa politike për detyrën e lartë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, detyrë që e kreu deri në vitin 2000 pasi plotësoi mandatin tre vjeçar të parashikuar me ligj për këtë post.

Gjenerallejtënant Pëllumb Qazimi

Gjenerallejtënant Pëllumb Qazimi

Gjenerallejtënant Pëllumb Qazimi, lindi më 21 tetor 1957 në Skrapar. Në 1981 ka përfunduar SHLBO dhe në 1991 u diplomua në AM. Ka kryer kurset: “Refugjatët” (Hungari, '92); “Ligjshmëria ndërkombëtare për refugjatët” (Itali, '92); “Orientimi dhe planëzimi i operacioneve” (Turqi, '94); “Zbulimi Strategjik” (SHBA, '95); kursi i NATO “Oficer shtabi për operacionet” (Hollandë, '96); “Ligji i luftës” (Itali, '98). Studime pasuniversitare “Siguri globale, diplomaci e Mbrojtjes” (Kolegji Mbretëror Ushtarak, Universiteti i Crandfield, Mbretëria e Bashkuar, 2000) dhe në 2001 mbrojti në të njëjtin universitet edhe nivelin "Master"; doktoraturë “Local Traditions and Foreign Influences in the Albanian Military History 1912-1991” (në Fakultetin e Filozofisë, Universiteti i Zagrebit, 2012). Gjatë periudhës si shef i SHP ka marrë pjesë në seminare, konferenca, si në Shqipëri ashtu edhe në vende anëtare e jo anëtare të NATO. Ka publikuar në revista të vendit dhe të huaja për çështje të sigurisë, ka qenë lektor në universitete brenda dhe jashtë vendit. Ka kryer detyra si komandant toge, instruktor stërvitje; zëvendësdrejtor në Drejtorinë e Zbulimit në SHP, zëvendësdrejtor i SHIU; shef i Zbulimit Ushtarak; shef i SHPA. Më 1 gusht 2007 është emëruar ambasador ynë në Kroaci e më pas ambasador jorezident i Shqipërisë në Bosnje dhe Hercegovinë. Detyrën e SHSHP e ka kryer në dy mandate 2000 deri në 2006. Gjatë kësaj periudhe FASH kanë bërë hapa të sigurtë drejt NATO.
Gjeneralmajor Luan Hoxha (tetor 2006-qershor 2008)

Gjeneralmajor Luan Hoxha

Gjeneralmajor Luan Hoxha, lindi më 28 mars 1960 në Shkodër dhe ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura nga viti 2006-2008. Pas diplomimit në 1983 deri në 2008 ka kryer detyra të larta deri në shef Shtabi, si dhe kualifikime të shumta, por shpërthimi që ndodhi në 15 mars 2008 i ndërpreu edhe karrierën ushtarake kur ishte ngjitur deri në detyrën më madhore të ushtarakut.
Gjeneralmajor Maksim Malaj (qershor 2008-korrik 2011)

Gjeneralmajor Maksim Malaj

Gjeneralmajor Maksim Malaj, lindi në 13 dhjetor 1958. Ka përfunduar Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve e shumë kualifikime të tjera, më pas. Në 1981-1982 ka qenë instruktor i Përgatitjes së Zjarrit në Shkollën e Instruksionit në Zall-Herr, më tej për pesë vjet instruktor stërvitjeje; instruktor në Degën e Stërvitjes në Divizionin e 8 të Këmbësorisë; komandant Batalioni, këmbësor e territorial. Në vitin 1992-1993, instruktor në Degën e Stërvitjes në Divizionin e 8 të Këmbësorisë; në 1993-1994 shef operacional në Njësinë Ushtarake nr.1105; në 1994-1997, instruktor në Degën e Stërvitjes në Divizionin e 8 të Këmbësorisë; në 1997-2005, inspektor në Drejtorinë e Inspektimit të Ministrit të Mbrojtjes; në 2005-2007, shef Shtabi i Brigadës së Reagimit të Shpejtë dhe në 2008 komandant i saj. Detyrën e SHSHP e ka kryer nga 2008 deri në 8 gusht 2011. Gjatë periudhës që Maksim Malaj ka qenë në krye të FASH, Shqipëria është pranuar anëtare me të drejta të plota në strukturën më jetëgjatë të sigurisë së kombeve në NATO.
Gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi (gusht 2011-nëntor 2013)

Gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi lindi në Peshkopi në 30 janar 1963. Ai e filloi jetën ushtarake si skënderbegas në vitin 1978 dhe u diplomua në Akademinë Ushtarake në vitin 1985. Në vitin 2008 gjeneral Gjunkshi përfundoi me sukses studimet në Kursin e Lartë të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, në Kolegjin e Mbrojtjes, pranë Akademisë së Mbrojtjes “Spiro Moisiu”, në Tiranë. Në vitin 2007, gjeneral Gjunkshi emërohet komandant i Regjimentit Komando, një prej njësive elitë të FA. Në 2008 nga Federata Ndërkombëtare e Paqes në Botë, gjeneral Gjunkshi merr titullin “Ambasador i Paqes”. Në 2009, ai promovohet gjeneral brigade dhe emërohet komandant i Komandës Mbështetëse, më vonë njohur si Brigada e Logjistikës. Më 8 gusht 2011, gjeneral brigade Gjunkshi emërohet shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe, më 10 nëntor 2011, i jepet grada madhore gjeneralmajor. Gjatë karrierës së tij, për punë të shquar dhe kontribute të veçanta, gjeneral Gjunkshi është vlerësuar me urdhëra, dekorata dhe medalje të larta.

Gjeneralmajor Jeronim Bazo (nëntor 2013-janar 2017)

Gjeneralmajor Jeronim Bazo mbaroi Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë më 1985 dhe u titullua oficer aktiv në FARSH. Karrierën ushtarake e filloi si komandant toge, kompanie, instruktor stërvitjeje, zëvendëskomandant batalioni, duke vijuar më tej me kryerjen e detyrave në fushën e personelit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të FA. Gjeneralmajor Bazo u diplomua nga Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë “George C Marshall” për Studime të Sigurisë dhe Ekonomisë se Mbrojtjes. Drejtoi Departamentin e sapokrijuar asokohe të Sigurisë Kombëtare pranë Akademisë së Mbrojtjes të FA. Shërbeu si oficer koordinator me NATO pranë Ministrisë së Mbrojtjes, komandoi Akademinë e Nënoficerëve dhe më pas u bë komandanti i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”, duke shërbyer si komandant i parë i këtij institucioni. Gjeneralmajor Bazo udhëhoqi punën për planifikimin dhe zhvillimin për herë të parë të Kursit të Lartë për Studime për Sigurinë dhe Mbrojtjen. Në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit dhe Monitorimit të Mbrojtjes në Shtabin e Përgjithshëm të FA, ishte në krye të procesit që realizoi me sukses integrimin e plotë të Shqipërisë në NATO. Gjeneralmajor Bazo përfundoi Kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm pranë Akademisë së Mbrojtjes së FA si dhe u diplomua nga Kolegji i Luftës i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, klasa 2006, ku dhe fitoi Gradën Shkencore “Master Shkencor për Studime Strategjike”. Ai ka marrë pjesë, kontribuar, drejtuar dhe ligjëruar në shumë konferenca, seminare dhe grupe pune, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe edukimit. Gjeneralmajor Bazo ka qenë autor dhe bashkautor për një numër artikujsh dhe kërkimeve shkencore brenda dhe jashtë vendit. Përgjatë karrierës mbi 30-vjeçare në FARSH, për shërbimet e kryera, gjeneralmajor Bazo është nderuar me një numër medaljesh karriere, shërbimesh të veçanta në MM dhe SHP, mirënjohjeje etj.


Shtatmadhoria dhe Shtatmadhorët ushtarakë shqiptarë artikull nga prof. asoc. Dr. Zaho Golemi, MSc Aurora Golemi, i botuar në gazetën "Ushtria"







Media Sociale



Moti