Misioni

Zhvillimi, drejtimi e koordinimi i një force luftarake të përbashkët, me komponentin tokësor, detar e ajror, të aftë për të plotësuar misionin e vet kushtetues  ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale të vendit, mbrojtjen e mbështetjen e popullsisë civile në kohë paqeje, krize e lufte, për të kontribuar për paqen dhe sigurinë në rajon e me gjerë, si dhe për të mbështetur a për t'u angazhuar në proceset e bashkëpunimit e të integrimit Euroatlantik e nisma të tjera rajonale në fushën e sigurisë.

 

 

 

Struktura e Shtabit të Përgjithshëm

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, përbën strukturën organizative më të lartë ushtarake në Forcat e Armatosura dhe kryen komandën unike në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ai është përgjegjës për krijimin e një force luftarake të përbashkët e të njësuar me Forcat Tokësore, Detare dhe Ajrore, të aftë për të plotësuar misionin e vet kushtetues të Forcave të Armatosura.

Shtabi i Përgjithshëm vepron si shtab i bashkuar i Forcave Tokësore, Detare, Ajrore dhe përgjigjet për përgatitjen dhe stërvitjen e përbashkët të të tre komponentëve për të gjitha detyrat e tyre për të përballuar kërcënimet , rreziqet që kërcënojnë sigurinë në vend, programimin e mbrojtjes në mbështetje të misioneve, operacioneve, trajnimit , stërvitjes, vlerësimin strategjik të kërcënimeve , rreziqeve dhe marrjen e masave për përballimin e tyre, përgatitjen, drejtimin dhe komandimin e veprimeve ushtarake dhe drejtimin e Forcave të Armatosura, mbështetjen logjistike, hartimin e kërkesave për zhvillimin dhe pajisjen e tri shërbimeve të Forcave të Armatosura, përdorimin e frytshëm të burimeve të mbrojtjes për t'i bërë të ndërveprueshme dhe të afta në kryerjen e misioneve në operacione ushtarake ndërkombëtare, zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e bashkëpunimit, ndërveprimin me NATO dhe koordinimin e stërvitjeve të përbashkëta, zhvillimin e sistemeve të komandimit, drejtimit, komunikimit e të njoftimit të të dhënave në Forcat e Armatosura.

Në kohë lufte, Shtabi i Përgjithshëm vepron si shtab për Presidentin dhe Komandantin e Forcave të Armatosura.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është përgjegjës përpara presidentit të Republikës, kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes për komandimin e Forcave te Armatosura; drejton përgatitjen dhe gatishmerinë luftarake të Forcave të Armatosura; siguron plotësimin me personel ushtarak përmes stafit të integruar të mbrojtjes dhe Qendrës së Personel Rekrutimit si dhe merr drejtimin dhe organizimin e veprimeve ushtarake dhe joushtarake.

Drejtoria e Personelit (J-1)

1. Drejtoria e Personelit është drejtoria e parë në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

2. Drejtoria e Personelit ka për mision planifikimin, sigurimin, mbështetjen me personel në funksion të kryerjes së misioneve, operacioneve, stërvitjeve dhe përballimit të emergjencave që FARSH kryejnë brenda dhe jashtë vendit, menaxhimin e personelit civil dhe ushtarak, emërimin në detyrë të personelit nënoficer, ushtar profesionist, civil të SHPFA e të strukturave të varësisë së tij si edhe kryen procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për zbatimin e planeve të kualifikimit dhe arsimimit të personelit.

Drejtoria e Zbulimit (J-2)

1. Drejtoria e Zbulimit është drejtoria e dytë në SHP të FA.

2. Misioni i Drejtorisë së Zbulimit është mbështetja me zbulim dhe siguri e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe FA.

Drejtoria e Operacioneve dhe Stërvitjes (J-3/7)

1. Drejtoria e Operacioneve dhe Stërvitjes është drejtoria e tretë dhe e shtatë në SHP të FA 

2. Misioni i Drejtorisë së Operacioneve dhe Stërvitjes është planëzimi i përgatitjes dhe përdorimi operacional i FA në interes të kryerjes së detyrave luftarake, joluftarake për kontrollin dhe vlerësimin e gjendjes së niveleve të operacionalitetit, të gatishmërisë dhe stërvitjes të strukturave kryesore të Forcave të Armatosura.

Drejtoria e Logjistikës (J-4)

1. Drejtoria e Logjistikës është drejtoria e katërt në SHP të FA

2. Drejtoria e Logjistikës ka për mision planifikimin, zhvillimin dhe monitorimin e mbështetjes logjistike të FA për sigurimin e kapaciteteve logjistike operacionale të nevojshme të nevojshme për mbështetjen e veprimtarisë së FA brenda dhe jashtë vendit, në kohë paqe, krize e lufte. Kjo drejtori zhvillon konceptet e mbështetjes logjistike, politikat e menaxhimit të burimeve si edhe harton standardet  për funksionet e mbështetjes logjistike.

Drejtoria e Planifikimit dhe Monitorimit të Mbrojtjes (J-5/8)

1. Drejtoria e Planifikimit dhe Monitorimit të Mbrojtjes është drejtoria e pestë dhe e tetë në SHP të FA

Drejtoria e Planifikimit dhe Monitorimit të Mbrojtjes përgjigjet për planifikimin, hartimin, integrimin dhe monitorimin e planeve të zhvillimit dhe programeve të mbrojtjes në funksion të zhvillimit, modernizimit dhe rritjes së kapaciteteve ushtarake të FA për përmbushjen e misionit dhe detyrave të saj. Ajo përgjigjet për koordinimin dhe bashkërendimin e veprimtarive me strukturat e NATO dhe mbarëvajtjen e bashkëpunimit ushtarak dypalësh dhe shumëpalësh me vendet e Aleancës dhe jashtë saj. J-5/8 rekomandon përdorimin e burimeve të mbrojtjes për arritjen e kapaciteteve operacionale si edhe harton kërkesat buxhetor sipas programeve të mbrojtjes.

Drejtoria e Planifikimit dhe Monitorimit të Mbrojtjes në kuadër të Ministrisë të Mbrojtjes kontribuon në përgatitjen e dokumenteve kryesorë strategjikë të FA: Strategjia Ushtarake, Plani Afatgjatë i Zhvillimit të FA, Direktiva e Mbrojtjes, dhe dokumente të tjerë si Rishikimi Strategjik i Mbrojtjes, etj. Menaxhon procesin e Planifikimit të Mbrojtjes duke e harmonizuar me planifikimin e NATO. Drejton për hartimin e dokumenteve periodike dhe raportimin në strukturat respektive të NATO mbi progresin e arritur në modernizimin dhe zhvillimin e FA.

Drejtoria e Ndërlidhjes (J-6)

1. Drejtoria e Ndërlidhjes është drejtoria e gjashtë në SHP të FA

2. Drejtoria e Ndërlidhjes është përgjegjëse për planëzimin, organizimin, zhvillimin dhe modernizimin e Sistemeve të Ndërlidhjes e të Informacionit (SNI) për mbështetjen e Komandim – Kontrollit (C2) në FA, si dhe sigurimin e ndërveprimit për komunikim me sistemet e komunikimit dhe informacionit të institucioneve kombëtarë si edhe institucionet ndërkombëtare siç janë NATO, BE, OSBE dhe OKB.

Drejtoria e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak (J-9)

1. Drejtoria e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak është drejtoria e nëntë në SHP të FA

2. Drejtoria e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak është përgjegjëse për bashkërendimin dhe bashkëpunimin e FA me autoritetet vendore, subjektet civile, agjencitë dhe organizatat qeveritare dhe joqeveritare në mbështetje të zbatimit të objektivave të FA dhe të kryerjes së misioneve dhe operacioneve brenda dhe jashtë vendit. J9 përgjigjet për organizimin dhe zbatimin e pjesës protokollare të veprimtarisë së shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA brenda dhe jashtë vendit.

 

Inspektorati i Shëndetësisë

Inspektorati i Shëndetësisë përgjigjet për planifikimin, koordinimin dhe bashkërendimin e mbështetjes shëndetësore të efektivave të FA për kohë paqe dhe mbështetjen e operacioneve luftarake e joluftarake brenda e jashtë vendit.

Historiku

Në një shekull shtet shqiptar (1912-2012) Ushtria Kombëtare Shqiptare, krahas Ministrisë të Luftës/Mbrojtjes ka pasur në drejtim shtatmadhorët dhe shtatmadhorinë. Tradita luftarake shqiptare ka ekzistuar që nga ushtritë ilire, në ushtrinë e Skënderbeut, në atë të Pashallëqeve të Bushatllinjve dhe Ali Pashë Tepelenës tek Lidhja Shqiptare e Prizrenit, që janë faqe të ndritura të historisë dhe traditës ushtarake shqiptare. 

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të shtetit të pavarur shqiptar, u formua më datën 4 maj 1913 në Vlorë. Formimi i Shtabit Madhuer u bë me miratimin e qeverisë së përkohshme të Vlorës. Ai mban fillimisht emërtimin Shtabi Madhnuer dhe më tej u emërua “Shtabi Madhuer” kryetar i të cilit ishte major Ali Shefqet Shkupi. Shtabi Madhuer e kishte qendrën në Vlorë pranë Ministrisë së Luftës të qeverisë së përkohshme të Vlorës që kryesohej nga Ismail Qemal bej Vlora.

Lexo më shumë...

Shefat e Shtabit të Përgjithshëm në vite

Në krye të Shtabit Madhor kanë qenë: major Ali Shefqet Shkupi (4 maj 1913,); gjeneral brigade Ali Riza Kolonja (nëntor 1920); major Xhavid Leskoviku (dhjetor 1921); major Bajram Fevziu (qershor 1923); gjenerali austriak Gustav Von Myrdac (janar 1925). Më 7 prill 1939, me pushtimin prej Italisë fashiste pushuan së ekzistuari edhe Forcat e Armatosura Shqiptare. Në periudhën 10 korrik 1943-gusht 1946 në krye të SHPUNÇSH ishte gjeneralmajor Spiro Moisiu. Shef i Shtabit të Përgjithshëm kanë qenë: gjeneralmajor Mehmet Shehu (gusht 1946); gjeneralmajor Beqir Balluku ( 1952); gjeneralmajor Arif Hasko (1954); gjenerallejtënant Petrit Dume (1956); Sami Meçollari (1974); Veli Llakaj (1975); Kiço Mustaqi (1982); kolonel Halim Abazi (shkurt-qershor 1991); gjeneralmajor Kostaq Karoli (qershor '91-gusht '92); gjenerallejtënant Ilia Vasho (1992-1994); gjeneral me katër yje Sheme Kosova (1994-1997); gjeneralmajor Adem Çopani (mars-gusht 1997); gjeneral brigade Aleks Andoni (1997-2000); gjenerallejtënant Pëllumb Qazimi (2000-2006); gjenerallejtënant Luan Hoxha (tetor 2006-qershor 2008); gjeneralmajor Maksim Malaj (qershor 2008-korrik 2011); gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi (gusht 2011-nëntor 2013); gjeneralmajor Jeronim Bazo (nëntor 2013-janar 2017).

Lexo më shumë...

Kontakt

Adresa: Rruga e Dibrës, Tiranë             

Tel: 04 363 465             

Fax:
04 369 197

Kutia Postare:
2423  







Media Sociale



Moti