Afganistan, operacioni ISAF drejtuar nga NATO

Në korrik të vitit 2002, u angazhua kontingjenti i parë i FA, në kuadër të forcave të koalicionit kundër terrorizmit në operacionin ISAF (International Security Assistance Force), në Kabul dhe duke vijuar gradualisht rritjen e përfaqësimit dhe shumëllojshmërinë e angazhimit në detyra, pothuajse në të gjitha komandat rajonale në Afganistan, si në Herat (perëndimore), Mazari-e-Sharif (veriore), Shtabin Qendror ISAF në Kabul, Misionin Trajnues të NATO në Kabul dhe Herat, ekipe OMLT në Kabul, Forca Speciale në Kandahar (jugore) dhe Trajnues të Forcave Speciale në Wardak (lindore). Që nga fillimi e deri në përfundim të operacionit ISAF, FARSH kanë kontribuar me një total prej 3041 ushtarakësh.

Lexo më shumë...

NATO, përfundon misionin trajnues në Irak

Në përfundim të operacionit “Liria e Irakut”, filloi një tjetër operacion por tashmë i drejtuar nga NATO, i koduar “NATO Training Mission”, i cili për më shumë se 3 vjet shërbeu më së miri për ringritjen, mbështetjen dhe trajnimin e trupave dhe shtabeve të ushtrisë irakiane.

Në këtë mision trajnues të NATO, të përbëre prej 120 ushtarakësh nga vende të ndryshme anëtare, vendi ynë u angazhua me 2 ushtarakë, më  22 mars 2010, për 4 rotacione.

Irak

Lufta në Irak nisi në vitin 2003, me pikësynim rrëzimin e diktatorit Sadam Hysein. Në operacionin "Liria e Irakut" u angazhuan 170 mijë trupa ushtarake të mbi 35 vendeve aleate dhe partnere (SHBA me 143 mijë, Britania me 4100, Rumania me 600, Australia me 300, El Salvador me 200, Bullgaria me 155, Danimarka me 55, Lituania me 53, Estonia me 38 dhe Shqipëria 70 deri në 215). Në operacionin "Liria e Irakut", në kuadër të koalicionit të luftës kundër terrorizmit, u vunë në funksion 500 baza ushtarake në të gjithë Irakun.

Prej vitit 2008 filloi reduktimi i tyre deri në më pak se 3 mijë trupa amerikane dhe NATO, të angazhuara në "NATO Training Mission" që shërbeu për ringritjen, mbështetjen dhe trajnimin e trupave dhe shtabeve të ushtrisë irakene. Në kuadër të forcave të koalicionit në operacionin "Liria e Irakut", më 14 prill 2003, Republika e Shqipërisë, iu bashkua koalicionit të vendeve aleate dhe partnere, duke angazhuar kontingjentin e parë paqeruajtës, në Mosul, të përbërë prej 70 ushtarakësh, efektivë të Regjimentit Komando, trupat elitë të FA. Pjesëmarrja në këtë operacion u mundësua me Ligjin Nr. 9025, datë 13.03.2003, "Për vënien në dispozicion të hapësirës tokësore, detare e ajrore dhe dërgimin e një force ushtarake shqiptare në rajonin e Gjirit Persik (Irak), në kuadër të koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit". Kontingjentet nga i pari deri tek i katërti (që si periudhë kohore përfshin dy vitet e para) përbëheshin nga një kompani, ndërsa duke filluar nga kontingjenti i pestë deri tek i dymbëdhjeti, kontributi u rrit edhe me 50 trupa të tjerë, duke e çuar numrin në 120 ushtarakë. Këto trupa ishin dislokuar në Aeroportin e Mosulit dhe u agazhuan për ruajtjen dhe sigurimin e bazës Marez në tërësi dhe portës së saj të veriut, që ndodhet në Marezin lindor, po ashtu edhe në bazën Viktoria në Bagdad.

Lexo më shumë...

Gjeorgji

Duke filluar nga viti 1994 deri në korrik të vitit 2009 (kohë kur është mbyllur misioni), FARSH kanë qenë të angazhuar me përfaqësues këshilltarë/vëzhgues ushtarakë në operacionin UNOMIG të drejtuar nga OKB në Tbilisi, Gjeorgji me 39 ushtarakë.

Çad

FARSH, u angazhuan me tre kontingjente me nga 63 ushtarakë, në operacionin MINURCAT, të drejtuar nga Bashkimi Europian, në Çad, Afrikë, në periudhën korrik 2008-korrik 2010, duke vepruar në përbërje të kontingjentit francez.

Dërgimi i trupave në Çad, u bë bazuar në marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Europian dhe Republikës së Shqipërisë “Për pjesëmarrjen e RSH, në operacionet ushtarake të BE”, si dhe marrëveshjes dypalëshe midis Republikës së Francës dhe Republikës së Shqipërisë, “Për mbështetjen e trupave të FA të RSH, në operacionet ushtarake të BE”.

Mbështetja financiare e kontingjentit u sigurua nga pala shqiptare, ndërsa mbështetja logjistike përfshi edhe transportin strategjik për dërgimin e trupave në rajonin e operacionit u realizua nga pala franceze.

Kontributi i FA në Çad ishte gjithsej me 189 ushtarakë.







Media Sociale



Moti