Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura

Gjeneralmajor Prof. Asoc. Bajram Begaj
korrik 2020 -

Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më datë 20.03.1967, në Rrogozhinë. Në vitin 1989, Gjeneral Begaj ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.

Përpara se të merrte detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneralmajor Prof. Asoc. Bajram Begaj, për një periudhë tre vjeçare, ka shërbyer në detyrën e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, Gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: Zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; Drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor, Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA-së; Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura. 

Gjeneralmajor Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen me pjesëmarrje ndërkombëtare, pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë.

Gjithashtu ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes,  pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes, në Shkollën Pasuniversitare të Marinës, në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv, pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake.

Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi. Njëkohësisht është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës se tij ushtarake.

Gjeneralmajor Bajram Begaj flet rrjedhshëm gjuhën angleze. 

Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.






Media Sociale



Moti