Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura

Gjeneralmajor Manushaqe Shehu, 
janar 2018 -

Gjeneralmajor Manushaqe Shehu ka lindur në Peshkopi më 5 nëntor të vitit 1965. Ajo vjen nga nje familje me traditat më të mira të krahinës së Dibrës. Familja ishte shtysa dhe mbështetja kryesore për realizimin e ëndrrës dhe pasionit që në vogëli për uniformën e nderuar ushtarake. Menjëherë pas gjimnazit në qytetin e saj të lindjes, nisi rrugëtimi afro 37-vjeçar në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë. Ky rrugëtim në uniformë, ka patur një sërë eksperiencash, arritjesh, promovimesh, që kanë bërë krenarë këdo, jo vetëm në rrethin familjar, por edhe në atë shoqëror e më gjerë. Mbi të gjitha, spikatja e vlerave njerëzore, personalitetit dhe integritetit të lartë të saj, përgjatë karrierës, u shpalos me dinjitet për më shumë se tri dekada në funksion të zhvillimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura.

Si oficer aktiv, gjeneral major  Shehu, karrierën e saj e nisi në pozicionin e shefit së Logjistikës në Brigadën 3900, Peshkopi. Në atë periudhë, organizimi strukturor i ushtrisë ishte krejt i ndryshëm, ku dislokimi i reparteve përfshinte rajone të ndryshme me një shpërndarje gjeografike mjaft të gjërë, por kjo nuk e trëmbi asokohe gjenerale Shehun. Përkundrazi, ishte pëkushtimi, përgjegjshmëria, serioziteti, angazhimi, korrektësia e saj, që e bëri që sfidën e parë të profesionit të nderuar të ushtarakut, ta përballonte me sukses. Nga ana tjetër dhe fitimi i një sigurie në vetvete që domeni ushtarak, jo domosdoshmërisht duhej të ishte një domen ku ekskluziviteti dhe suksesi ju takonin kolegëve meshkuj, e bënë që të vazhdonte me hapa të sigurt përpara. Ajo do kryente një sërë detyrash në të gjitha nivelet operacionale të ushtrisë, që nga batalioni, brigada, e deri në divizion, SHPFA e deri në institucionin më të lartë, atë të Presidencës. Konkretisht, nga viti 1989, kur përfundoi me rezultate të shkëlqyera Akademinë Ushtarake, e deri në 1996, kryen disa detyra të ndryshme në Logjistikë si itendente batalioni, shefe e shërbimeve të ndryshme logjistike për ushqimin, veshmbathjen, karburantin e kazermimin në brigadë, deri shefe e Logjistikës e Divizionit 1100, Shkodër.

Në vitin 1996, emërohet specialist i Kontrollit Financiar dhe Rezervave të Paprekshme në Ministrinë e Mbrojtjes.  Këtë detyrë e mban deri në mars të vitit 2000. Gjatë viteve 2000 - 2002 punoi pranë ekipit amerikan të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA, në Ministrisë së Mbrojtjes. Më 8 tetor 2007, emërohet ndihmëse e presidentit të Republikës për Çështjet Ushtarake dhe Integrimin Euroatlantik. Më 4 shkurt 2011, emërohet këshilltare Ushtarake e presidentit të Republikës. Më 1 shtator 2012, emërohet drejtoreshë e Bashkëpunimit Civil - Ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në karrierën e gjenerale Shehut nuk mungojnë as pozicionet komanduese. Më 1 nëntor 2016, ajo emërohet komandante e Akademisë së Nënoficerëve. Ishte kjo detyrë, që do të shënonte kulmin në ecurinë në karrierë për një ushtarak, e për më tepër për një grua, duke u promovuar në 16 nëntor 2016, si e para ushtarake femër në historinë e Republikës së Shqipërisë që merr gradën Gjeneral Brigade. Vlerësimi dhe besimi i treguar nga lidershipi civil i asaj kohe i MM, për thyerjen e tabusë mbi kontributin e gruas në pozicionet më të larta në Forcat e Armatosura Shqiptare, për gjenerale Shehun do të ishte përgjegjësi, profesionalizëm dhe mbi të gjitha përkushtim ndaj detyrës, përkushtim ndaj punës, ndaj atdheut. 

Cilësitë që jo vetëm e karakterizojnë, por edhe që bindshëm i manifestoi përgjatë drejtimit, e sprovuan edhe në realizimin e detyrave të tjera që erdhën më pas, detyra tashmë të një shkalle vështirësie më të madhe. Sfida e radhës për gjeneral major Shehun, ishte marrja e drejtim-komandimit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, në 1 dhjetor 2016- 16 janar 2018 sprovë e kaluar me sukses. Sfidat në dinjitet, në vlerë, në përpjekje, në arritje, kulmuan përsëri deri në majën e piramidës së Forcave të Armatosura shqiptare si zëvendësshefe e SHP të FA. Numri dy i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë (nga data 16 janar 2018 e në vijim) vjen në këtë funksion mjaft të rëndësishëm pas gjithë kësaj karriere të shkëlqyer në të gjitha nivelet e Ushtrisë Shqiptare.Besimi se njeriun në jetë e mban vetëm dija, e dëshmon më së miri gjithë këtë ecuri brilante karriere të gjenerale Shehut. Dhe jo vetëm.  Nga ana tjetër, është edhe ana njerëzore e saj.E qetë, e pjekur, e sinqertë dhe dinjitoze, shumë e kulturuar, e papajtueshme nga devijimet, shpërthyese dhe autoritare në qëndrimet e saj individuale, por edhe institucionale. 

Cilësitë e shtuara, përsëri nuk ngelën jashtë vëmëndjes së lidershipit më të lartë të vendit. Me Dekretin Nr.1313, datë 17.06.2021, të presidentit të Republikës, ajo bëhet e para grua shqiptare me gradën madhore gjeneral major.

E gjithë kjo ecuri pozitive, ka shkuar paralel edhe me kualifikimet përkatëse. Si përfaqësuese e elitës intelektuale shqiptare, gjithmonë e pandalur, e palodhur, pa u shkëputur dhe nga detyrimet familjare, si nënë e dy fëmijëve (një vajzë e një djalë), ka punuar fort në përditësim të vazhdueshëm të njohurive. Përgjatë karrierës së saj, ka kryer të gjitha kualifikimet institucionale e funksionale, civile e ushtarake, si brënda vendit, ashtu dhe jashtë vendit, për fushat e shërbimit ku ka punuar. Ndër më të rëndësishmet, janë:

Kualifikimet institucionale të arsimimit ushtarak

Gjatë viteve 1989 - 1994, përfundon Kursin Themelor të Oficerit në SHPFA dhe Kursin e Funksioneve në Akademinë e Mbrojtjes, Tiranë. Në vitet 2004 - 2010 përfundon Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm “Spiro Moisiu”, Kursin e Larë të Oficeritë, Master “Niveli Dytë në Fushën e Sigurisë Kombëtare”  si dhe Kolegjin e Lartë Rajonal të Sigurisë dhe të Mbrojtjes. 

Në muajin gusht 2018 në mbrojtje të temës “Lidershipi dhe ndikimi i tij në menaxhimin e mjedisit të sigurisë. Rasti i Ballkanit e më gjerë”, fiton gradën shkencore “Doktor”.

Kualifikimet institucionale të arsimimit civil

Gjatë viteve 1989 - 1994, përfundon Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës. Gjatë vitit 2017, kryen Kursin e Sigurisë në “Qendra Marshall”, Garmish, Gjermani.

Kualifikimet profesionale

Në vitet 2004 - 2005 përfundon kursin ADAMS P&P (shkollë logjistike) në Tur, Francë; në  2013, përfundon kursin e CIMIC në Qendrën P&P, Ankara, Turqi; në 2014 përfundon kursin e Gender Perspective in Peasekeeping Operations, në Zagreb, Kroaci; në 2015, përfundon kursin e CIMIC&CIMI Oberamengau, Gjermani; në 2016 përfundon kursin e Luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, në Qendrën P&P, Ankara, Turqi; në 2016, kryen kursin e Lidershipit Strategjik, Budva, të iniciuar nga Mbreteria e Bashkuar, në Mal të Zi; në 2017, kryen kursin e Building Integrity, në Mbretërinë e Bashkuar; në 2018, përfundon kursin e The Mediterranean of the Future: conditions for a neë equilibrium, në Paris, Francë.

Angazhime në aktivitete të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare

Gjatë periudhave të ndryshme të punës së saj, ka qenë nismëtare e disa projekteve të ristrukturimit të FA dhe anëtare e Bordit të Kompanisë Amerikane SAIC “për ndryshimin e strukturave të FA”, si dhe anëtare e bordeve drejtuese të ndryshimit të disa rregulloreve për Logjistikën në FA. Drejtuese e Bordit të Ndryshimit të Normave të Ushqimit dhe Veshmbathjes e Kazermimit në FA. Gjithashtu, nismëtare e një sërë projektesh të përbashkëta civilo-ushtarake kombëtare dhe ndërkombëtare, ku një vend të veçantë zënë projektet për barazinë gjinore, për të cilat ka marrë mirënjohje dhe falënderime nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, por edhe nga shoqëria civile e strukturat e tjera të kontrollit civil në Forcat e Armatosura. Ka marrë pjesë aktive në stërvitje të përbashkëta me vende anëtare të NATO-s; aktiviste dhe drejtuese e nismave në ndihmë të grave ushtarake e civile të FA dhe të rajonit.

Ka botuar një numër të madh artikujsh shkencor e ushtarak, në revista ushtarake, brenda dhe jashtë vendit, në shtypin ushtarak e civil, ka marrë pjesë në disa aktivitete ushtarake ndërkombëtare në vendet anëtare të NATO-s dhe ato partnere të saj.

Është dekoruar me urdhra e medalje të ndryshme nga ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit  të Përgjithshëm të FA, si dhe medalje e kupë, e certifikata si “Sportiste e dalluar”, “Në ndihmë të popullsisë në donacione të ndryshme”, “Aktiviste e zbatimit të rezolutës 1325”, etj.

Në angazhimet e ndryshme sociale, nuk ka kaluar pa u evidentuar dhe hobi i saj, ai i ushtrimit të sporteve. 

Gjeneral major Shehu është njohëse e mirë e dy gjuhëve të huaja, anglisht dhe italisht.

Kontributi ndër vite i gjenerale Shehut, përveçse evidenton një drejtim dhe një energji të vecantë në historikun 109 vjecar të FARSH, por është edhe një krenari e përgjithshme, jo vetëm për familjarët, krahinën, por edhe për komunitetin femëror ushtarak, që me të drejtë përfaqëson.

 

 






Media Sociale



Moti