Kremtohet 8 - vjetori i Rënies së Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli

20 shkurt 2020

bwd  Grup - Foto 1/3  fwd

Sot në ambientet e Batalionit të Forcave Speciale u zhvillua Ceremonia e 8 - Vjetorit të Rënies të Dëshmorit të Atdheut kapiten Feti Vogli.

Në këtë ceremoni morën pjesë zëvendëskomandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Tonin Marku, shefat e degëve, familjarët e dëshmorit, miq dhe shokë.

Fjalën e hapjes në këtë ceremoni e mbajti komandanti i batalionit të Forcave Speciale nënkolonel Ramadan Karakushi, i cili pasi falënderoj familjarët për prezencën e tyre ndër të tjera tha: “Ky shesh është kthyer në një simbol referimi për njësinë dhe vet ushtarakët e Forcave të Armatosura, vend ku ne nderojmë dhe vlerësojmë sakrificën e fundit që kapiteni bëri për vendin e tij. Të gjithë japin diçka për atdheun, por disa prej nesh japin gjithçka për të. Një thënie kjo e përdorur për luftëtarët që kapërcejnë limitet e sakrificës duke dhënë gjithçka për lirinë dhe demokracinë e popujve siç ishte dhe Afganistani.”

Më pas, fjalën e rastit e mori zëvendëskomandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Tonin Marku i cili u shpreh se: “Duke nderuar veprën e kapiten Voglit ne nderojmë familjen e tij, Forcat e Armatosura dhe vendin tonë. Detyra jonë është të ruajmë vlerat më të larta, të cilat e karakterizojnë ushtarakun, të cilat edhe kapiten Vogli u frymëzua, kështu që është detyra jonë që ta kujtojmë në mënyrë që ta kemi të përjetshëm.”

Në përfundim të fjalës së tij u mbajt një minutë heshtje në kujtim të dëshmorit. Kjo ceremoni u mbyll me vendosjen e kurorave me lule nga familjarët dhe ish - kolegët pranë bustit të dëshmorit.






Media Sociale



Moti