Përfundon Kursi XII Bazë i Forcave Speciale

23 janar 2020

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Në mjediset e garnizonit të Batalionit të Forcave Speciale dhe Batalionit Komando, u zhvillua ceremonia e përfundimit dhe certifikimit të personelit që përfundoi Kursin XII Bazë të Forcave Speciale. 

Në këtë ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka, shefi Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Albert Mullai dhe familjarë të kursantëve të kursit special.

Kjo ceremoni nisi me një demonstrim stërvitor të përgatitur nga kursantët e Kursit Komando dhe kursantët e Kursit Bazë të Forcave Speciale të cilët sapo u certifikuan si operatorë të Forcave Speciale.

VIDEO

Më pas fjalën e hapjes në këtë ceremoni e mbajti komandanti i Batalionit të Forcave Speciale nënkolonel Ramadan Karakushi, cili ndër të tjera theksoi: “Sot ju u bëtë pjesë e familjes së “beretave vishnje”, por do t’ju duhet të rrisni akoma më shumë aftësitë tuaja pasi ju tashmë e kuptoni se të jesh operator i Forcave Speciale do të thotë që kurrë mos reshtësh së trajnuari me kërcënimet e reja asimetrike dhe ato hibride që aktualisht mbeten sfidë e Aleancës.”

Në fjalën përshëndetëse ministri i Mbrojtjes theksoi “Dua t’ju përgëzoj sepse sot ju jeni bërë zyrtarisht pjesë e elitës së Forcave të Armatosura. Ju ndiheni të barabartë midis kolegëve tuaj të Aleancës. Kjo është një provë e modernizimit dhe profesionalizmit të Forcave tona të Armatosura, që kanë shënuar një progres.” 

***

Kurrikula e trajnimit të këtij kursi kishte si synim përzgjedhjen e personelit më të mirë të kandidaturave që ofrojnë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. 

Në fazën e përzgjedhjes të kursit kandiduan për të filluar kursin 80 efektivë, nga të cilët, pas zhvillimit të një procesi testimi tepër rigoroz, u përzgjodhën për të filluar kursin vetëm 28 kandidatë.

Kursantët janë përballur me stërvitje me ngarkesë të lartë fizike dhe psikologjike në kushte të vështira moti dhe terreni, larg familjeve të tyre, duke pasur gjithmonë në mendje dilemën “të tërhiqemi apo jo”. Kanë qenë vetë kursantët që kanë vendosur për fatin e tyre! 

8 kursantët, të cilët e përfunduan kursin, kanë ditur të përballen me sfidat dhe kanë gjetur në vetvete forcën e duhur në kohën e duhur dhe kurajën për të vazhduar deri në fund për të merituar emrin “Forcë Speciale”.  






Media Sociale



Moti