Kthehet në atdhe Kontingjenti VI Paqeruajtës në “Resolute Support Mission”, Afganistan

26 dhjetor 2019

Sot në ambientet e pjesës ushtarake të aeroportit të Rinasit u zhvillua ceremonia e pritjes së Kontingjentit VI Paqeruajtës të “Resolute Support Mission”, në Kabul, Afganistan.

Në këtë ceremoni morën pjesë komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Albert Mullai, shefi i Shtabit të FT kolonel Arjan Hilaj, komandanti i Batalionit Komando , zëvendëskomandanti Batalionit të Mbështetjes me Luftim, familjarë dhe të afërm të Kontingjentit RSM-6.

Fjalën e hapjes në këtë ceremoni e mbajti komandanti i këtij kontingjenti major Erion Skënderi, i cili në fjalën e tij falënderoi komandantin e Forcës Tokësore, shefin e Shtabit te Përgjithshëm dhe ministrin e Mbrojtjes për misionin, që i besuan dhe për përkrahjen e dhënë gjatë kryerjes së detyrës. 

Më pas fjalën e mori komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Albert Mullai, ku pasi u uroi mirëseardhjen në atdhe kontingjentit, ndër të tjera tha: “Ju shpalosët atje një model dhe një vlerë të rrallë të ushtarakut shqiptar. Por, po kaq e rëndësishme, në mos më e vyer, është përvoja e shtuar që ju sollët këtu, një përvojë unike, e cila do të shërbejë për të përgatitur e trajnuar të tjerë ushtarakë të kontingjenteve pasardhëse. 

Kam kënaqësinë, që në mënyrë të veçantë t’iu shpreh respektin dhe mirënjohjen time, familjarëve të misionarëve, për mbështetjen që u dhanë bijve dhe familjarëve të tyre, duke ua bërë më të lehtë qëndrimin atje. 

Gjeneral brigade Mullai e mbylli fjalën e tij me urimet më të ngrohta dhe më të sinqerta për pjesëtarët e kontingjentit dhe familjarët e tyre.

"Qoftë viti 2020, një vit i mbarë për shpresat dhe ëndrrat e gjithsecilit prej jush!" -tha ai.

Kjo ceremoni u mbyll me shpërndarjen e medaljes së “Luftëtarit” të akorduar nga shefi i Shtabit te Përgjithshëm gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku  për të gjithë pjesëtarët e kontingjentit. 

Kontingjenti RSM-6 ishte ishte pjesë e Batalionit “Komando” dhe Batalionit të Mbështetjes me Luftim. Ky kontingjent shërbeu për një periudhë 6 mujore në Kabul, Afganistan në vartësi të komandës turke.






Media Sociale



Moti