Zëvendëskomandanti i Forcës Detare viziton Komandën e Flotës së Pestë Detare të SHBA

17 shkurt 2020

Më datën 8 shkurt 2020, zëvendëskomandanti i Forcës Detare, kapiten i rangut I Artur Meçollari zhvilloi një vizitë në Komandën e Flotës së Pestë Detare të SHBA (U.S. Naval Forces Central Command and United States Fifth Fleet) në Bahrein. Gjatë vizitës së tij, kapiteni i rangut I Meçollari u prit në një takim nga komandanti i Flotës së Pestë të SHBA, admiral James J. Malloy. 

Admiral Malloy gjatë takimit vlerësoi bashkëpunimin midis dy forcave detare dhe në veçanti angazhimin e Shqipërisë në Partneritetin Ndërkombëtar për Lirinë e Lundrimit (IMSC) në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit. Pjesëmarrja e Forcës Detare me personel në operacionin Sentinel u shpreh admirali, është tregues i përkushtimit të Shqipërisë edhe pse një vend i vogël me kapacitete të kufizuara dhe angazhimit të saj në çështje të sigurisë globale.

Zëvendëskomandanti i Forcës Detare, kapiten i rangut I Artur Meçollari zhvilloi një vizitë në Qendrën Operacionale të Operacionit Sentinel (IMSC), ku u prit nga kundëradmirali britanik James Parkin, komandant i Task Forcës Sentinel, i cili e njohu me situatën detare, procedurat e punës dhe rolin që personeli i Forcës Detare do të ketë në këtë qendër. Kundëradmirali Parkin shprehu kënaqësinë që pas ngritjes së flamurit të Republikës së Shqipërisë në operacion, shumë shpejt Shqipëria do ketë përfaqësuesin e saj në këtë operacion.






Media Sociale



Moti