Vlerësohet kontributi i Qendrës Stërvitore Pashaliman për trajnimin e personelit të Policisë Detare Kufitare

05 shkurt 2020

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ardi Veliu i akordon "Certifikatë Mirënjohjeje", Qendrës Stërvitore Bazë të Forcës Detare dhe personelit të saj, për kontributin e dhënë në përgatitjen e efektivëve të Policisë Kufitare dhe Migracionit

Në Komandën e Forcës Detare u organizua ceremonia e vlerësimit të Qendrës së Stërvitjes Bazë të Forcës Detare dhe instruktorëve të kësaj Qendre, Kapiten i Rangut të Dytë Tomorr Sinani dhe Kapiten i Rangut të Tretë Erion Ago, me Certifikatën e Mirënjohjes, akorduar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ardi Veliu.

Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Drejtues i Lartë Eduard Merkaj i dorëzoi Certifikatën Komandantit të Qendrës Stërvitore Bazë të Forcës Detare, Kapiten i Rangut të Dytë Bamir Likaj.

Gjatë fjalës së tij, drejtuesi i lartë Eduart Merkaj falënderoi Qendrën Stërvitore Bazë të Forcës Detare për punën e shkëlqyer dhe profesionalizmin e treguar gjatë kursit të komandantit të mjetit lundrues dhe operatorit te radarit për 27 efektivë personel të Policisë Kufitare dhe Migracionit, zhvilluar në periudhën shtator-tetor 2019. Ai u shpreh: “Kursi i përfunduar ka vlera për ngritjen profesionale të personelit tonë dhe bashkëpunimi ynë me Rojën Bregdetare do të vijojë të forcohet edhe në fusha të tjera".

Shefi i Sektorit për Kufirin Blu, Kryekomisar Tomor Duro iu dorëzoi instruktorëve Sinani dhe Ago certifikatat e mirënjohjes.

Gjatë fjalës së tij, zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Kapiten i Rangut të Parë Artur Meçollari falënderoi Drejtuesin e Lartë Merkaj për vlerësimin duke u shprehur: "Ky vlerësim është shprehje e një bashkëpunimi shumë të mirë midis dy institucioneve në fushën e trajnimit, stërvitjeve, shkëmbimit të informacionit dhe operacioneve në det. Ky bashkëpunim do të vijojë edhe në të ardhmen, me qëllim rritjen e ndërveprimit midis dy institucioneve për ushtrimin e ligjit dhe sovranitetit të Shqipërisë në hapësirën detare".






Media Sociale



Moti