Zhvillohet në Shqipëri takimi i Grupit të Punës për Operacionet Detare të NATO (MAROPSWG)

Në datat 14 – 23 janar 2020 në mjediset  e hotel Tirana International zhvilloi takimin e radhës Grupi i Punës për Operacionet Detare i NATO-s (NATO Maritime Operations Working Group). 

Në këtë takim morën pjesë mbi 130 delegatë nga forcat detare të vendeve të NATO si dhe struktura, organizma dhe qendra të ndryshme të ekselencës të NATO. 

Grupi i Punës për Operacionet Detare është më i madhi i Bordit të Standardizimit të NATO dhe përbëhet nga katër nëngrupe. Objektivi kryesor është diskutimi mbi zhvillimin dhe standardizimin e doktrinave, taktikave dhe procedurave në operacionet detare me qëllim përmirësimin e efektivitetit të forcave detare të NATO. 

Zëvendëskomandanti i Forcës Detare kapiten rangut I Artur Meçollari në fjalimin e tij të çeljes së punimeve, vlerësoi rëndësinë e zbatimit të doktrinave dhe procedurave të NATO në Forcën Detare shqiptare si dhe konceptet që ato përmbajnë në kuadër të aktiviteteve kryesore operacionale të Shqipërisë në mjedisin detar. 

Forca Detare shqiptare ndodhet në një moment kulminant të zhvillimit të kapaciteteve detare, si do të implementojë projekte modernizimi me kapacitete luftarake reale, të cilat do t’i japin mundësinë që të jetë kontribuese e rëndësishëm në operacionet detare të Aleancës.

Gjatë zhvillimit të sesioneve, kuadro nga Forca Detare shpalosën diskutimet e tyre.

Forca Detare vijon të jetë një kontribues dhe faktor sigurie në mjedisin detar, si dhe një partner serioz i Aleancës në zhvillimin e procedurave dhe doktrinave detare të NATO. 

Eksperienca e efektivave të Forcës Detare e fituar gjatë dislokimit 3-vjeçar të anijeve të klasit “Iliria” në detin Egje, u bë pjesë e procedurave dhe doktrinave të cilat u rishikuan dhe u përditësuan gjatë sesioneve të Grupit të Punës për Operacionet Detare të NATO. 

Kryetari i Grupi i Punës për Operacionet Detare kapiten i rangut I Bruno Scalfaro, shprehu konsiderata të larta për organizimin dhe mbështetjen e dhënë për realizimin e këtij aktiviteti nga ana e Forcës Detare.






Media Sociale



Moti