Forca Detare feston 94 - Vjetorin e Krijimit

23 dhjetor 2019

Ditën e sotme në ambientet e Komandës së Forcës Detare, Durrës u festua 94 - Vjetori i Krijimit të Flotës Luftarake Detare, ku morën pjesë kuadro dhe detarë të Forcës Detare dhe ish - kuadro të Flotës Luftarake, veteranë të saj, që kanë shërbyer në vite në anije dhe baza të rëndësishme të Flotës. 

Në ceremoni mori pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, familjarë të Qamil Podës, etj.  

Zëvendëskomandanti i Forcës Detare, kapiten i rangut I Artur Meçollari duke përshëndetur pjesëmarrësit e kësaj ceremonie theksoi se: “ 94 vjet më parë, me një vendim të Parlamentit të kohës do të nisë rrugëtimi i Forcës tonë Detare, institucion, i cili do të organizohej për herë të parë në qershor 1928, me krijimin e Komandës së Marinës Mbretërore, në Durrës. Sot, Forca jonë Detare ka një mision më të gjerë dhe më kompleks se më parë, mision i cili përfshin qysh prej vitit 2002 edhe Rojën Bregdetare. Këtë përvjetor të Forcës Detare e përkujtojmë në një moment të vështirë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Tërmeti i datës 26 nëntor 2019, la dëme të mëdha për popullin tonë, si dhe 52 viktima. Sipas traditës së krijuar në këtë 94 - vjetor kujtojmë gjithashtu ish - komandantin e Flotës Luftarake Detare, Qamil Poda dhe kursin e parë të diplomuar në Akademinë e Detarisë në vitin 1962”.

Më pas të pranishmit në emër të veteranëve të Forcës Detare  i përshëndeti z. Kristaq Çito, i cili në fjalën e tij evidentoi edhe rolin e ish - komandantit të Forcës Detare Qamil Poda, në  transformimin e Flotës Luftarake. 

Në këtë datë të shënuar për Forcën Detare, pjesëmarrësit i përshëndeti dhe Zamir Poda djali i Qamil Podës. Ai falënderoi Komandën e Forcës Detare dhe kuadrot detarë për vlerësimin e respektin që i kanë bërë figurës së babait të tij. 

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, në përshëndetjen drejtuar detarëve theksoi se, sot është dita ti bëjmë homazh dhe nderim punës dhe veprës së gjithë brezave që kanë shërbyer në vite në Forcën Detare, komandantëve, detarëve dhe të gjithë njerëzve me e pa uniformë që kanë lënë gjurmët, emrat dhe jehonën e tyre në historinë e saj.






Media Sociale



Moti