Takim për ruajtjen e trashëgimisë nënujore

15 nëntor 2019

Në Komandën e Forcës Detare u zhvillua një takim koordinues për ruajtjen e trashëgimisë nënujore detare në Republikën e Shqipërisë. Takimi u organizua me iniciativën e Forcës Detare.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli Komunal Ulqin, Qendra e Zhytjes e FD, Shërbimi Hidrografik i FD, ASIG, UNDP Albania, Universiteti i Studimeve Albanologjike, Federata e Zhytësve shqiptare, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë.

Fillimisht zëvendëskomandanti i Forcës Detare, kapiten i Rangut I, Artur Meçollari i uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve të kësaj tavoline, prezantoi programin e FD dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe inventarizimit të trashëgimisë nënujore mbi 2 mijë vjeçare të popullit tonë.

Rreth kësaj çështje u zhvilluan diskutime të hapura, mbi situatën dhe gjendjen aktuale të trashëgimisë nënujore, çfarë projektesh ka pasur deri tani, dëmet e shkaktuara nga mungesa e kujdesit dhe zbatimit të ligjit nga institucionet përgjegjëse. Bazuar në këto shqetësime, çfarë do bëhet në të ardhmen, ku parësore është inventarizimi i kësaj trashëgimie dhe koordinimi i punës së institucioneve shtetërore, jo shtetërore dhe akademike.

Në vijim të takimit u diskutua dhe për nevojën e përmirësimit të legjislacionit për mbrojtjen e trashëgimisë nënujore duke shfrytëzuar përvojën e legjislacionit ndërkombëtar si dhe legjislacionit të deritanishëm shqiptar, por dhe zbatimin e tyre deri tani. Gjithashtu, u diskutua dhe për projekte të veçanta mbi parqet e zhytjes nënujore si dhe ngritjen e muzeve të trashëgimisë detare.

Në përfundim, pjesëmarrësit u angazhuan për rritjen e bashkëpunimit midis agjencive shtetërore, akademike dhe private për mbrojtjen e trashëgimisë nënujore, si dhe promovimin e turizmit në Republikën e Shqipërisë.






Media Sociale



Moti