Zëvendëskomandanti i Forcës Detare kapiten i rangut I Artur Meçollari mori pjesë në Simpoziumin e Fuqive Detare Rajonale në Venecia, Itali

25 tetor 2019

Nga data 15-18 tetor 2019, zëvendëskomandanti i Forcës Detare kapiten i rangut I Artur Meçollari, mori pjesë në Simpoziumin XII të Fuqive Detare rajonale në Venecia, Itali.  Simpoziumi XII u fokusua kryesisht në tema si e drejta ndërkombëtare e detit, nga Montego Bay tek një model i ri dhe impakti mbi forcat detare, ri formatimi i forcave detare drejt detit të hapur, si dhe evolucioni i konceptit të fuqisë detare drejt shekullit te detit.

Në tre ditët e simpoziumit të gjithë folësit theksuan se shekulli XXI është Shekulli i Detit, fakt i cili ka nevojë për përmirësime ligjore në të Drejtën Ndërkombëtare të Detit, zhvillimin e forcave detare me kapacitete për në det të hapur, por dhe mision me spektër më të gjerë, për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe imponimin e ligjit në det.  

Forcat detare kanë luajtur dhe do të vazhdojnë të luajnë një rol vendimtar në kontrollin e rrugëve të komunikimit detar, mbrojtjen e interesave kombëtare ndaj sfidave dhe kërcënimeve që vijnë nga deti, mbrojtjen e burimeve detare dhe nëndetare në shelfin kontinental dhe zonën ekonomike ekskluzive, mbrojtjen e jetës dhe pasurisë në det, si dhe mbrojtjen e mjedisit dhe diversitetit detar. Forcat detare do të vazhdojnë të jenë agjenci lider në bashkëpunimin ndërinstitucional.

Një ditë e veçantë gjatë simpoziumit ju kushtua iniciativës Adrion. Në ditën e parë të tij në bordin e anijes "Amerigo Vespuçi" u organizua takimi i ministrave të Mbrojtjes të vendeve të Iniciativës dhe takimi i komandantëve të forcave detare.  Qëllimi i takimeve ishte diskutimi në një frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimit mbi të ardhmen e iniciativës drejt një angazhimi më të madh në garantimin e sigurisë detare rajonale.

Gjatë ditëve të simpoziumit zëvendëskomandanti i Forcës Detare kapiten i rangut I Artur Meçollari pati mundësi të bashkëbisedoj për çështje me interes të përbashkët me komandantët e forcave detare të vendeve të rajonit, të Italisë, Greqisë, Malit të Zi, Kroacisë dhe Sllovenisë, si dhe Komandanti e Forcave Detare të SHBA dhe Komandës së Bashkuar të NATO në Napoli.  Kapiten i Rangut I Artur Meçollari pati një takim të veçantë me komandantin e Forcave Detare të NATO (MARCOM) nënadmiral Keith E. Blount, me të cilin diskutuan mundësitë e rritjes së bashkëpunimi midis Forcës sonë Detare dhe MARCOM në të ardhmen.






Media Sociale



Moti