
10 korrik 2013
Në Komandën e Forcave Ajrore u zhvillua ceremonia e marrjes së detyrës nga komandanti i gjeneral brigade, Frederik Beltoja, i dekretuar pak ditë më parë nga Presidenti i Republikës SHTZ, Bujar Nishani. Në ceremoni ishte i pranishëm shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FARSH, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, komandantët e forcave dhe njësive kryesore si dhe drejtorë të drejtorive në Shtabin e Përgjithshëm të FA.
Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, drejtori i Menaxhimit të Personelit në MM, kolonel Dilaver Hoxha lexoi Dekretin e Presidentit të RSH për dhënien e gradës gjeneral brigade si dhe emërimin në detyrën e komandantit të Forcave Ajrore të Frederik Beltoja. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, i dorëzoi flamurin e Forcave Ajrore, gjeneral brigade Frederik Beltoja.
08 korrik 2013
Komandanti i Forcave Ajrore, gjeneral brigade Frederik Beltoja i ka drejtuar një letër falënderimi komandantit të Bazës Ajrore Farkë, nënkolonel Altin Lama dhe efektivëve të angazhuar në misionin e kërkim-shpëtimit në ndihmë të turistëve kroatë, të zhvilluar në datën 4 korrik 2013 në malin e Jezercës. “ Si komandant i Forcës Ajrore, më lejoni t’ju shpreh vlerësimet dhe konsideratat e mia me të larta për realizimin me sukses dhe me disiplinë të lartë të këtij misioni sa fisnik aq dhe të rrezikshëm. Dëshiroj t’ju falënderoj për kryerjen me devotshmëri të lartë të misioneve të vështira që kryejnë pilotët e Forcës Ajrore, ku gjithmonë kanë treguar së kanë qenë shembull në zbatimin e detyrave si dhe në ndjenjën e tyre humane për të rrezikuar jetën në ndihmë të komunitetit.
08 korrik 2013
Me marrjen e urdhrit të shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhënë nëpërmjet QBO, për t’ju ardhur në ndihmë turistëve çekë, në orën 6.10 të datës 08.07.2013, helikopteri tip “AB-205” i Forcës Ajrore, i drejtuar nga piloti nënkolonel Arjan çibuku dhe kapiten Ervin Buzi, teknik bordi rreshter Genti Dervishi dhe operator SAR PR II Shpati MUÇA, zhvilloi fluturim në drejtim të Alpeve, në malin e Jezercës, në itinerarin Farkë – Bajram Curri-mali i Jezercës –Bajram Curri-Larakë- Farkë me mision kërkim – shpëtimi, për të bërë evakuimin e turistëve çekë të bllokuar. Pas kërkimeve, ekuipazhi ka bërë të mundur gjetjen e turistëve çekë, të cilët ishin në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa një prej tyre i dëmtuar në këmbë, u transportua për në Spitalin Ushtarak. Misioni i kërkim-shpëtimit u realizua me sukses. Ky mision u koordinua dhe u drejtua nga Qendra e Kontroll Raportimit të Forcës Ajrore.
04 korrik 2013
Në orën 15.00 helikopteri tip “COUGAR” i konfigurimit SAR i Forcave Ajrore, pas marrjes së urdhrit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhënë nëpërmjet QBO, u nis në fluturim në drejtim të Alpeve, në malin e Jezercës, me mision kërkim–shpëtimi, për të bërë evakuimin e shatë turistëve kroatë të bllokuar prej disa orësh. Helikopteri As 532 AL “COUGAR” i drejtuar nga piloti nënkolonel Altin Lame dhe piloti instruktor francez major Thierry Solignac, teknik bordi Rreshter Genti Dervishi dhe operator SAR PR II Shpati Muça zhvilloi fluturim në itinerarin Farkë -Bajram Curri-mali i Jezercës-Bajram Curri-Laprakë-Farkë dhe pas kërkimeve, kanë bërë të mundur gjetjen e të shtatë turistëve, gjashtë prej tyre në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa një i dëmtuar në krah, i cili u transportua për në spital.
02 korrik 2013
Në Komandën e Forcës Ajrore u zhvillua analiza e realizimit të objektivave dhe detyrave kryesore të planëzuara për 6 mujorin e parë të vitit 2013. Analiza u drejtua nga zëvendëskomandanti i Forcës Ajrore, gjeneral brigade Frederik Beltoja me pjesëmarrjen e komandantëve të reparteve dhe shefave të degëve në Shtabin e Forcës Ajrore.
Drejtimet kryesore për periudhën gjashtë mujore kanë qenë: menaxhimi, zhvillimi dhe kualifikimi i personelit të forcës, rritja e shkallës së gatishmërisë operacionale për realizimin e misionit, programimi i trajnimit dhe stërvitjes së pilotëve, ruajtja e sovranitetit ajror në bashkëpunim me qendrat CAOC të NATO, programimi dhe zbatimi i masave për menaxhimin e materialeve të tepërta, forcimi i shkallës së sigurisë, zbatimi i kontratave të ndryshme në funksion të modernizimit dhe zhvillimit të Forcës Ajrore, përgatitja e personelit të aftë për të punuar me strukturat e NATO, përpilimi i programeve të stërvitjes e modernizimit të Forcës Ajrore, shkëmbimi i pasqyrës ajrore me NATO, Air Policing, vëzhgimi ajror, realizimi i objektivave të partneritetit, rritja e nivelit operacional të Forcës Ajrore, si dhe bashkëpunimi dhe realizimi me cilësi i stërvitjeve të përbashkëta.
25 qershor 2013
Në Komandën e Forcës Ajrore bëri një vizitë pune, zëvendësambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, z. Stephen Hicking i shoqëruar nga dy ushtarakë të Mbretërisë së Bashkuar.
Zëvendësambasadori Hicking u prit në takim nga zëvendëskomandanti i Forcës Ajrore, gjeneral brigade Frederik Beltoja. Qëllimi i vizitës ishte diskutimi për sigurimin e mbështetjes logjistike nga Forca Ajrore në interes të stërvitjes “Albanian Lion 2013”, e cila është planëzuar të zhvillohet në vendin tonë në muajin gusht 2013, me pjesëmarrjen e trupave britanike.