Zhvillon fluturimin e parë me helikopter në mënyrë autonome piloti i Bazës Ajrore Farkë, nëntoger Fabio Bardho

25 mars 2021

Piloti i Bazës Ajrore Farkë, nëntoger Fabio Bardho, po zhvillon sot fluturimin e tij të parë me helikopter AB 206 në mënyrë autonome, pas një periudhe të gjatë trajnimi teorik dhe praktik me instruktorë dhe pilotë me eksperiencë të kësaj baze.

Nëntogeri Bardho ka kryer studimet në Akademinë e Forcave Ajrore Italiane dhe është diplomuar në vitin 2020. Ai gjatë periudhës së arsimimit dhe trajnimit ka zhvilluar fluturime me avion SF260. Aktualisht ai është me detyrë pilot në Bazën Ajrore Farkë dhe si çdo pilot që aftësohet dhe familjarizohet me mjetet e fluturimit, edhe nëntoger Bardho është vlerësuar tashmë i aftë dhe i gatshëm të zhvillojë fluturim i vetëm pa asistencën e instruktorëve të tij në kabinën e helikopterit.

Çdo fluturim i parë konsiderohet një ngjarje e shënuar në karrierën e pilotëve, prandaj këtë zhvillim fluturimi të pilotit Fabio Bardho po e asistojnë me prezencën e tyre edhe zëvendëskomandanti i Forcës Ajrore kolonel Ylli Pulaj, komandanti i Bazës Ajrore Farkë nënkolonel Julian Dulemata si dhe kolegë dhe stafi i Forcës Ajrore.

VIDEO:

Në fund të fluturimit piloti Bardho u duartrokit e u përgëzua nga kolegët dhe drejtuesi i Forcës Ajrore, kolonel Ylli Pulaj i cili më pas u takua edhe me kursantët që po përgatiten për pilotë të ardhshëm të Forcës Ajrore, të cilët i inkurajoi dhe i uroi mbarësi në rrugën e tyre të pilotimit.





Media Sociale



Moti