
23 mars 2021
Sot, me rastin e 66-vjetorit të Krijimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, zëvendëskomandanti i Forcës Ajrore kolonel Ylli Pulaj mori pjesë në aktivitetin e organizuar në ambientet e Stacionit Meteorologjik Ushtarak në Shkodër. Të pranishëm në aktivitet ishin edhe Prefektja e qytetit të Shkodrës Znj. Majlinda Angoni si dhe drejtues e punonjës të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.
Kolonel Ylli Pulaj në fjalën e hapjes falënderoi Prefekten për praninë dhe bashkëpunimin e mirë duke theksuar se, zgjodha Stacionin e Shkodrës të uroja personelin civil dhe ushtarak në ditën e 66-vjetorit të Krijimit Shërbimit Meteorologjik Ushtarak por edhe në ditën botërore të shërbimit meteorologjik. Ai vlerësoi kontributin e këtij shërbimi qysh nga dita e krijimit, shërbim ky, i cili ka mbështetur me informacion meteorologjik jo vetëm Forcat e Armatosura dhe Forcat Ajrore në veçanti por ka qenë një pikë e rëndësishme referuese në paralajmërimin e situatave emergjente që janë krijuar si shkak i kushteve ekstreme meteorologjike në vendin tonë.
Në vijim ai theksoi se, jo rastësisht në këtë ditë përkujtimore të shërbimit meteorologjik u zgjodh Stacioni i Shkodrës. Shkodra është një nga qytetet që ka pasur më shumë probleme me situatën e krijuar për shkak të motit ekstrem duke sjellë në kujtesë vitin 2010, ku Shkodra dhe gjithë Rajoni Veriperëndimor patën situatën më të vështirë të përmbytjeve dhe dëmeve të shkaktuara nga moti ekstrem.
Pikërisht duke qenë një problem për të gjithë dhe i të gjithëve, Bashkimi Evropian në mënyrë sinjifikative ka iniciuar dhe financon projektin “Katastrofat nuk njohin kufij”. Në këtë kuadër Prefektura Shkodër në bashkëpunim me FORS Montenegro (Fondacioni për Zhvillimin e Veriut të Malit të Zi) zgjodhi Shërbimin Meteorologjik Ushtarak për realizimin e këtij projekti.
Nga ky projekt Shërbimi Meteorologjik Ushtarak përfitoi 4 stacione automatike hidrometeorologjike, nga të cilat 2 stacione meteorologjike të instaluara përkatësisht në Stacionin Meteorologjik Shkodër dhe Lezhë, si dhe instalimi i 2-stacioneve hidrike për matjen e prurjeje të lumenjve të zonës Shkodër. Të dhënat që do të gjenerohen nga këto stacione, do të jenë në përdorim të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile dhe Prefekturës Shkodër. Ky investim me rëndësi do ti shërbejë modernizimit të shërbimit meteorologjik ushtarak dhe rritjes së cilësisë së raportimeve dhe informacioneve që ky shërbim do të japë në qarkun e Shkodrës por jo vetëm.
Zëvendëskomandanti i Forcës Ajrore në fjalën përmbyllëse shprehu edhe një herë falënderimet më të sinqerta Prefekturës Shkodër, të cilët bënë të mundur realizimin e këtij projekti si dhe falënderimin tjetër ia adresoi për të gjithë personelin e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak e në veçanti personelit të Stacionit Shkodër, në ditën e Meteorologjisë, pasi ky specialitet kaq i veçantë dhe i rëndësishëm nuk do të kishte vlerën që ka, pa punën e specialistëve, vrojtuesve dhe parashikuesve meteorolog, të cilët japin çdo ditë kontributin e tyre, që ky Shërbim të vazhdojë misionin e tij në shërbim të Forcave të Armatosura, Agjencisë së Emergjencave Civile, Bashkive dhe Prefekturave si dhe gjithë Komunitetit në lajmërimin në kohë të situatave emergjente me qëllim parandalimin e fatkeqësive ashtu sikurse aq bukur e thotë moto me të cilën ky shërbim udhëhiqet në punën e tij: “Të parandalosh është më mirë se të kurosh”.
Më pas, Prefektja e qytetit të Shkodrës falënderoi Komandën e Forcës Ajrore për bashkëpunimin e mirë të vazhdueshëm në shërbim të komunitetit dhe siguroi që mbështetja dhe bashkëpunimi do jetë në vazhdimësi edhe në të ardhmen.
Aktiviteti u mbyll me një foto të përbashkët.
Gjithashtu zëvendëskomandanti i Forcës Ajrore më herët realizoi një vizitë në ambientet e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak në Tiranë dhe uroi personelin civil dhe ushtarak me rastin e 66-vjetorit të krijimit të këtij shërbimi, si dhe i falënderoi ata për kontributin e tyre në vite. Ndërkohë zhvilloi një takim edhe me personelin femër të shërbimit meteorologjik, të cilat në këtë ditë të shënuar të meteorologjisë i uroi për punën, përkushtimin dhe eksperiencën e në fushën e meteorologjisë dhe shërbimin e tyre në Forcën Ajrore.