Përkujtohet 30 vjetori i rënies në krye të detyrës së pilotëve dhe teknikëve në Tragjedinë e Llogarasë

22 nëntor 2019

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Sot më datën 22 nëntor 2019, është përkujtuar 30-vjetori i rënies në krye të detyrës së pilotëve dhe teknikëve të Bazës Ajrore Farkë, të cilët dhanë jetën për t’u ardhur në ndihmë studentëve të Universitetit të Kamzës, në Llogara, Vlorë.

Në ceremoninë përkujtimore merrte pjesë zëvendëskomandanti i Forcës Ajrore, kolonel Editson Zarka, komandanti i Bazës Ajrore Farkë, nënkolonel Julian Dulemata, kryetari i shoqatës së “Aviatorëve të Shqipërisë”, gjeneral brigade (R) z. Astrit Jaupi, kryetari i shoqatës “Familjet e Dëshmorëve të Aviacionit”, z. Kujtim Serani, familjarë të dëshmorëve, veteranë, kolegë dhe ushtarakë të Forcës Ajrore. 

Fjala e hapjes u mbajt nga Komandanti i Bazës Ajrore Farkë nënkolonel Julian Dulemata. Për të kujtuar jetën dhe  veprën e dëshmorëve në emër të shoqatës së “Aviatorëve të Shqipërisë”, foli kryetari i shoqatës gjeneral brigade (R) z. Astrit Jaupi, si dhe kryetari  i shoqatës “Familjet e Dëshmorëve të Aviacionit”, z. Kujtim Serani.

Zëvendëskomandanti i Forcës Ajrore kolonel Editson Zarka në fjalën e tij ndër të tjera tha: "Përkushtimi për detyrën, kurajon, guximi dhe trimëria, ndjenja e lartë e përgjegjësisë dhe vënia e interesit të përgjithshëm mbi atë personal janë motivet dhe karakteristikat që simbolizojnë Dëshmorët e Aviacionit / Dëshmorët e Atdheut. Pilotët Agim Galanxhi, Tafil Agai, Vangjel Postoli, Veledin Resuli dhe tekniket Enver Haka, Pandeli Zhupa, mbeten "Heronjtë e Qiellit, gjithmonë të lavdishëm për kontributin dhe sakrificën e dhënë, duke mos kursyer as jetën e tyre për realizimin e misionit".

Ceremonia vijoi me vendosjen e kurorave  dhe buqetave me lule  pranë  Memorialin e Dëshmorëve të Bazës Ajrore Farkë.

Në përfundim të ceremonisë për të pranishmit u shfaq një film me montazh të shkurtër kushtuar dëshmorëve.

Pas ceremonisë ushtarakë të Forcës Ajrore dhe familjarë të dëshmorëve  zhvilluan homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, ku prehen 6 pilotët dhe teknikët e rënë në këtë tragjedi.





Media Sociale



Moti