Nxënësit e shkollës 9 - vjeçare “Kongresi i Manastirit” Tiranë, zhvillojnë një vizitë në Bazën Ajrore Farkë

18 maj 2018



Në kuadër të bashkëpunimit me institucionet shtetërore, shkolla si qendra komunitare, sot në mjediset e Bazës Ajrore Farkë u zhvillua një vizitë njohëse me repartin nga një grup nxënësish të klasës së 7 - të, shkolla 9 - vjeçare “Kongresi i Manastirit” Tiranë.

Fillimisht nxënësit u pritën nga shefi i Shtabit të Bazës Ajrore Farkë nënkolonel Tomorr Dyrmo, i cili i bëri një përshkrim të shkurtër për historikun e kësaj baze.

Gjatë kësaj vizite nxënësit morën informacione rreth teknikës ajrore, misioneve dhe operacioneve që kryejnë ekuipazhet fluturuese, operacionet në ndihmë të komunitetit, si dhe u bë një prezantim për kontributin që jep Shërbimi Meteorologjik, me të dhëna për kushtet e motit në interes të realizimit të operacioneve ajrore.

Më pas nxënësit vizituan nga afër llojet e helikopterëve dhe morën informacione rreth pyetjeve të bëra, si dhe ndoqën nga afër fluturimin dhe uljen e helikopterit Cougar, i cili po kthehej nga një fluturim stërvitor.
 
Mësuesja kujdestare falënderoi për pritjen që u bë nga Baza Ajrore Farkë dhe shtoi se kjo vizitë ishte shumë me vlerë, pasi nxënësit morën informacion të bollshëm rreth aktivitetit që zhvillon Baza Ajrore Farkë. 

Në fund të vizitës u realizua një foto e përbashkët.





Media Sociale



Moti